Kjo është mënyra e re për rimbursim nga dorëzimi i kuponëve fiskal

kuponat-fiskal

Edhe pse kanë kaluar disa javë nga koha kur Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë me dije se do të ndryshojë mënyra e rimbursimit të kuponëve fiskal, që nga ajo kohë e deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me këtë çështje, raporton gazetablic.com

Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, ka deklaruar për “Gazeta Blic” se në mungesë të vendimit për ndryshim të mënyrës së rimbursimit edhe më tutje do të bëhet rimbursimi i njëjtë i kuponëve fiskal.

“Menaxhmenti i ATK-së ende nuk ka marrë ndonjë vendim, rreth ndryshimit të kampanjës për rimbursim nga kuponët fiskal, mirëpo momentin që do të kemi diçka, sigurisht që qytetaret do ti njoftojmë me kohë. Andaj, përderisa nuk kemi ndonjë vendim rimbursimi nga kuponët fiskal do të vazhdohet në këtë mënyrë”, tha Bytyqi-Sefa.

E arsye e cila e ka shtyrë ATK-në ta nisë kampanjën për rimbursim, sipas Bytyqi-Sefa është rritja e vazhdueshme e të interesuarve për rimbursim.

“Çdo periudhë nëse e krahasojmë, shohim rritje të vazhdueshme të interesimit, diçka që ka dhënë  efektet e veta në procesin e fiskalizimit për çka edhe është nisur kjo kampanje”, tha ajo, raporton gazetablic.com

Se interesimi është i madh për rimbursim, tregojnë edhe statistikat e ATK-së, ku që nga koha kur ka filluar rimbursimi e deri më tani janë rimbursuar rreth 500 mijë qytetarë më 7.8 milionë euro, gjë që ka tejkaluar edhe pritshmërinë e ATK-së, sipas zyrtares për Komunikim me Publikun.

“Administrata Tatimore e Kosovës konsideron se ka arritur të përcjell mesazhin tek çdo familje, për qëllimin e kësaj kampanje. Për këtë parametër matës marrim interesimin jashtëzakonisht të madh të qytetarëve, për të aplikuar për rimbursim nga kuponët fiskal. Që nga fillimi i kësaj kampanje e deri më tani,  kemi rimbursuar 438,660 qytetar, me 7.8 milion euro. Shifrat që i përmendëm kanë tejkaluar pritshmëri tona”, tha Valentina Bytyqi-Sefa. / Gazeta Blic/