Këto janë procedurat e formimit të Qeverisë pas certifikimit të rezultateve

KQZ pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, pasi PZAP dhe Gjykata Supreme të përfundojnë procedurat e tyre për të gjitha ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputet. Kështu është e përcaktuar edhe me rregulla ligjore.

Në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, thuhet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”, shkruan Indeksonline.

Pas certifikimit të rezultateve, gjithçka kalon në “duar” e Presidentit Hashim Thaçi që ta japë manditin për krijimin  e qeverisë partisë fituese të zgjedhjeve.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka shpjeguar për Indeksonline, këto procedura pas certifikimit të rezultateve deri të formimi i Qeverisë.

“Tanimë pas ankesave të dërguara në Gjykatën Supreme dhe afatin ligjor 72 orë është përfunduar, javën e ardhshme pritet që të ketë certifikim të rezultateve të zgjedhjeve. Pastaj, Presidenti cakton seancën ku propozon para Kuvendit kandidatin për kryeministër në konsultim me koalicionin apo partinë që ka fituar shumicën për të formuar Qeverinë. Këtë seancë e udhëheq deputeti ma i vjetër në moshë. Këtu edhe votohet ku Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës” ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Kujtojmë qe kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit,  duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës, ku edhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Tahiri ka thënë se nëse qeveria e propozuar me mandatarin e propozuar nga partia që ka më shumë vota nuk merr pëlqimin e deputetëve atëherë, Presidenti brenda 10 ditë emëron kandidatin tjetër sipas të njëjtës procedurë.

Sipas Tahirit, me Kushtetutën e Kosovës nëse nuk zgjidhet në herën e dytë Qeveria, atëherë Thaçi i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre./Indeksonline/L.TH/