Kandidati i partisë Fjala prezanton programin e tij qeverisës për Malishevën (dokument)

Kandidati për Kryetar Komune nga partia Fjala Bedri Bytyçi ka bërë publike programin e tij qeverisës i cili përbam pika nga varfëria e deri tek zhvillimi ekonomik.

Programi i plotë:

PROGRAMI QEVERISËS I PARTISË “FJALA” PËR KATËR VITET E ARDHSHME (2017-2021) NË KOMUNËN E MALISHEVËS

Malisheva sot përballet me probleme të shumta të fushave të ndryshme. Gjatë procesit të përpilimit të programit qeverisës të “FJALËS”, janë identifikuar shumë çështje dhe probleme të rëndësishme dhe aktuale që ka sot Malisheva, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë dhe urgjente.

Ato janë:

Zhvillimi i dobët ekonomik;
Papunësia e lartë dhe në rritje të vazhdueshme;
Varfëria e madhe;
Depopullimi i vendbanimeve, përkatësisht emigrimi i lartë i qytetarëve të Malishevës;
Shërbimet e ulëta shëndetësore dhe degradimi i sistemit arsimor;
Shkatërrimi dhe humbja e tokës bujqësore në Malishevë;
Zonat e rrezikuara nga vërshimet;
Shkalla e lartë e nepotizmit dhe ndikimi i madh në konkurset e punësimit dhe tenderët e komunës etj.
Çështjet e lartëpërmendura janë rezultat i takimeve të shumta me intelektualë, ekspertë, studentë, e qytetarë të shumtë të Malishevës. Në të gjitha këto takime, ne me resurset tona humane arritëm që të hartojmë një listë për të cilën në mënyrë urgjente programi ynë qeverisës parasheh zgjidhje të secilit problem veç e veç.

ZHVILLIMI EKONOMIK NË MALISHEVË ËSHTË QËLLIMI KRYESOR I PARTISË “FJALA”

“FJALA” do tё zhvillojë politika ekonomike me qellim tё zhvillimit tё qёndrueshёm dhe afatgjatё tё Ekonomisë së komunës sonë, qё kanё pёr qёllim pёrmirёsimin e standardit jetёsor, uljen e varfёrisё, rritjen e mundёsive pёr punёsim dhe rritjen e perspektivёs nё pёrgjithёsi duke mundёsuar njё jetё dinjitoze pёr tё gjithё qytetarёt e Malishevës.
Për të pasur një zhvillim ekonomik të sukseshëm duhet të merren parasysh pikat e mëposhtme:
1. Ndalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar,
2. Transparenca dhe llogaridhënia,
3. Hartimin e politikave të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik, përmes strategjive zhvillimore afatmesme dhe afatgjate,
4. Uljen e tatimeve lokale me qëllim të nxitjes dhe mbështetjes për bizneset e reja.
“FJALA” synon tё ulё papunёsinё me njё plan mjaft atraktiv ku tё gjithё tё papunёsuarit do tё kenё mundёsi tё punёsimit tё barabartё dhe i gjithё sistemi do tё shkojë sipas reformёs qё “FJALA” do ta zbatojë me ardhjen e saj në qeverinë komunale.

Politikat Fiskale

“FJALA” do tё hartojë politika fiskale dhe politika tatimore komunale në mënyrë qё tё fuqizojë sektorin privat dhe tё mbështes hapjen e bizneseve të reja në Malishevë .
Transparenca dhe llogaridhёnia do tё jenё shembull për tërë Kosovën se si do të qeveriset Malisheva nga partia “FJALA”.
Tatimet e ulëta janë mënyrë efikase për zhvillimin e ekonomisë dhe stimulimin e investimeve të jashtme.
“FJALA” mendon se taksa e vjetër majtiste: “Takso më shumë-shpenzo më shumë”, për komunën tonë, në rrethanat në të cilat gjendet populli ynë janë barrë dhe ngulfatje e bizneseve, dhe se kjo formë e tatimeve nuk është zgjidhja e duhur për qytetarët e Malishevës.
Ne jemi të bindur se ulja e taksave pa ndonjë kontroll të vëmendshëm, nuk premton mirëqenie, por me uljen e taksave do të ishte një stimulim për krijimin e bizneseve dhe vendeve të reja të punës.
“FJALA” do të kërkojë gjithnjë rrugë dhe ide të reja për të përmirësuar situatën ekonomike në të cilën gjendet Malisheva.
a) “FJALA” për të gjitha bizneset të cilat do të formohen për herë të parë në Malishevë të cilat do t’i punësojnë 3-5 persona varësisht prej veprimtarisë që do ta ushtrojnë, këto biznese do të lirohen nga barra tatimore komunale për 3 vite (pra 0 tatim komunal).

b) Po ashtu me ardhjen në qeveri të “FJALËS” në Malishevë, për të gjithë investitorët e huaj, përkatësisht bashkatdhetarët tanë të cilët do të investojnë në komunën tonë dhe do të krijojnë biznese me të cilat arrijnë të punësojnë 15-20 persona do të lirohen nga barra tatimore komunale deri në 5 vite (pra 0 tatim komunal).

c) Ndërsa për investitorët e huaj të cilët planifikojnë të investojnë dhe me kapitalet e tyre të ndërtojnë fabrika mbrenda territorit të Malishevës, komuna përpos që do t’ua përgatitë tërë infrastrukturën rrugore dhe ligjore me kapacitetet e saja me kosto zero (0) euro, e poashtu nëse ky investim (fabrikë) siguron punësimin e mbi 50 punëtorëve, qytetarë të Malishevës, do të lirohet nga barra tatimore komunale për 10 vite (pra 0 tatim komunal), e tërë këtë e bëjmë me qëllim që të formohen sa më shumë vende pune për të rinjët e Malishevës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve tanë duke iu ofruar mundësi punësimi për të gjithë me kushte të barabarta.

d) Për bizneset ekzistuese, ato biznese të cilat do ta rrisin numrin e punëtorëve për 3 e më shumë punëtorë, do të lirohen për një vit nga tatimi deri në 30%, kurse ato biznese që janë aktive që do t’i punësojnë mbi 10 punëtorë, brenda dy (2) viteve do të lirohen nga tatimi për 50%.
Për t’i realizuar në mënyrë sa më të drejtë pikat e mësipërme, do të angazhojmë inspektorë profesional të komunës të cilët do t’i mbikqyrin të gjitha bizneset e që nuk do të lejojnë shkelje të ligjit të punës, ku deri më tani janë shkeluar të gjitha të drejtat e punëtorëve.
Përmes tri pikave të lartëpërmendura parashohim se gjatë katër viteve do të krijohen qindra biznese dhe do të krijohen vende të reja pune, ku përfituesi më i madh do të jetë qytetari i Malishevës.
Bizneset dhe investitorët e suksesshëm për ne janë dhe do të jenë të nderuar e të respektuar përderisa janë në shërbim të zhvillimit progresiv të Malishevës.
• Gjithashtu ish Qendra Tregetare BEN-af e cila ka mbetur jashtë funksionit të saj që një kohë të gjatë, do ta shqyrtojmë mundësinë që objekti të shfrytëzohet ekskluzivisht për krijimin e bizneseve të vogla nga të rinjët e në veçanti nga gjinia femrore, që ndryshe nga komunat tjera, në komunën tonë deri më tani nuk ka qenë pjesë aktive, pra është diskriminuar nga pushteti që nga paslufta.

SEKTORI I ARSIMIT

Rëndësi të madhe do t’i kushtojmë arsimit pas degradimit që i është bërë nga qeveritë e deritanishme, ku të gjithë e dimë se nga këto qeveri pothuajse janë ndërruar të gjithë drejtorët varësisht se kush ka qeverisur, pastaj ka pasur punësime të mësimdhënësve në baza partiake e që kjo më së paku është dashur të ndodhë, dhe si pasojë e qeverisjeve të tilla e pamë edhe rezultatin e PISA-s.
Për fat të keq sot një i ri që i përfundon studimet, ai mund të punësohet vetëm atëherë kur të bëhet pjesë e partisë në qeverisje, përndryshe e ka të pamundur.
a) Me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimimit, “FJALA” me ardhjen e saj në qeverisjen komunale synon që të gjitha shkollat të cilat kanë bibliotekë, gjatë vikendeve do të jetë e hapur për studentët të cilët studiojnë në fakultete të ndryshme dhe me ID-kartelë do t’iu lejohet shfrytëzimi i këtyre hapsirave në të gjitha shkollat.
b) Ndërtimi i Bibliotekës së qytetit të Malishevës do jetë prioritet i qeverisë sonë.

c) Gjithashtu për të gjithë nxënësit e shkollave fillore nga klasa e I deri në klasën e IX do t’iu ofrohet nga një shujtë ditore, si dhe kontrolla sistematike shëndetësore në çdo vit shkollor.
“FJALA” do tё punojë me qёllim tё ruajtjes, edukimit, arsimimit dhe profesionalizimit tё rinisё në Malishevë.
d) Do të ndërtojmë edhe (2) dy qerdhe brenda mandatit tonë qeverisës sepse një qerdhe për një qytet në rritje siç është Malisheva, është pothuajse e pamjaftueshme.

SEKTORI I SHËNDETËSISË

Një ndër sektorët që ka nevojë emergjente është rimёkёmbja e shёndetёsisё në Malishevë.
“FJALA” do të zhvillojë politikё tё drejtё shёndetёsore dhe do tё punojë pёr njё sistem bashkёkohor shëndetësor, ku shëndetësia do të jetë larg nga ndikimet politike, nepotizmi dhe korrupsioni.

Me qёllim tё rimёkёmbjes së shёndetёsisё në Malishevë, “FJALA” do tё punojë nё:
a) Riorganizimin infrastrukturor dhe profesional tё sistemit shёndetёsor;

b) Rritjen e buxhetit pёr sektorin e shёndetёsisë në nivel lokal;

c) Funksionalizimi i qendrave mjekësore të cilat janë jashtë fuksionit në shumë fshatra të Malishevës;

d) Zgjerimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (Ndërtimi i Objektit të Emergjencës), si nevojë e kahmotshme duke parë numrin e madh të popullsisë dhe hapësira tejet e vogël e kryerjes së të gjitha shërbimeve që kërkohen, si psh: kemi vetëm një dhomë me dy shtretër për të rritur ku jepen infuzionet, pra është e pamundur që në këto, kushte të ketë efikasitet dhe shërbime cilësore dhe qytetari obligohet që të kërkojë shërbime në ambulanta private të Malishevës.

e) Ngritjen e shërbimeve dhe kapaciteteve stomatologjike, e që do të nëkuptonte shërbime në dy ndërrime përkatësisht nga ora 07:00-23:00 7 ditë në javë;

f) Në çdo shkollë do të angazhojmë nga një mjek të përgjitshëm dhe nga një stomatolog;

g) Rritjen e pёrformancёs sё personelit shёndetёsorë;

h) Respektimin e tё drejtave tё pacientit;

i) Rritjen e bashkёpunimit shёndetёsor me nivelin qendror me qëllim të funksionalizimit dhe ofrimin e shërbimeve për individët, të cilët vuajnë nga dializa dhe pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje do t’iu ofrohen shërbimet në objektin e ri shtesë që do të ndërtohet brenda 2 viteve.

SEKTORI I BUJQËSISË

“FJALA” synon që përmes strategjisë afatmesme dhe afatgjate të zhvillojë sektorin e bujqësisë në rajonin e komunës sonë, e që do të ndikonte shumë edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Hartimi i një strategjie të veçantë e cila do të ndikojë, drejtpërdrejt te bujku do të ketë efekt pozitiv dhe mund të ndryshojë situatën në të cilën gjendet ky sektor. Një strategji për zhvillimin e bujqësisë në Malishevë duhet të ketë si objektiva qendrore elementet e mëposhtme:
a) Rritja e vazhdueshme e të ardhurave në bujqësi;

b) Ndaljen e keqpërdorimeve të subvencioneve dhe riorganizimin e mënyrës së mbështetjes përmes subvencioneve duke i klasifikuar ato;

c) menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, përfshirë pyjet, kullotat, lumenjtë etj
Implementimi i një strategjie të tillë për Malishevën, domosdoshmërisht do të ndikojë në masat mbështetëse të cilat mundësojnë uljen e varfërisë dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë në territorin e komunës së Malishevës.
Ekzistimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjate në sektorin e bujqësisë në Malishevë do të ndikojë si bazë e qëndrueshme e një stabiliteti dhe rritje të vazhdueshme ekonomike dhe bujqësore. Mbi këto arsye sygjerojmë të ngrihen disa grupe të ekspertëve nga fushat e caktuara që do të formojnë bërthamën e strategjisë për zhvillimin e bujqësisë si vijon:
d) Mbështetje e mëtejshme e reformave politike për të krijuar një mjedis bujqësor favorizues për zhvillim në të gjithë sektorët e bujqësisë;
e) Subvencionim i drejtë dhe jo politik për të gjithë bujqit;

f) Arritja e sukseseve në sektorin e ekonomisë bujqësore dhe shtrirja e shërbimeve të tyre, si dhe
g) Stimulimin për krijimin e vendeve të reja të punës në bujqësi përmes subvencioneve të komunës.

RINIA DHE SPORTI

Rinia e Malishevës, pёrveҫ qё pёrbёn shumicёn e popullsisё në komunën tonë, ёshtё edhe ardhmёria e Kosovёs dhe ҫdo angazhim dhe investim nё rini, ёshtё edhe angazhim dhe investim pёr tё ardhmen e Kosovёs.
Edukimi dhe Arsimimi i mirёfilltё i rinisё në Malishevë, është shtylla kryesore pёr ndёrtimin e njё tё ardhme tё shёndoshё, rritja e mundёsisё pёr punёsim tё drejtё dhe parimor dhe pёr njё perspektivё mё tё mirё dhe dinjitoze, ёshtё ndёr qёllimet kryesore në qeverisjen tonë.
•“FJALA” do t’i mbështet të rinjët duke iu krijuar hapësirë veprimi dhe mbështetje për të shfaqur idetë inovative të secilit të ri, duke mos bërë asnjëlloj diskriminimi gjinor apo politik.
•Të rinjët do të jenë pjesëmarrës në vendimarrjen e qeverisë në komunën e Malishevës.

•Një rëndesi dhe hapësirë të veçantë do t’iu kushtojmë të rinjëve të arsimuar për të kryer punë praktike me pagesë duke filluar nga nxënësit e shkollave të mesme profesionale, studentëve, dhe të diplomuarëve.
Edhe pse fatkeqësisht ka kapacitete të vogla komuna jonë, ne do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë e lejuara për t’i sistemuar të gjithë të rinjët të cilët kërkojnë punë vullnetare (praktike) mbrenda administratës dhe institucioneve tjera menagjuese nga komuna e Malishevës.
Pagesa e këtyre praktikantëve do të bëhet nga buxheti komunal, pjesë e cila është e paraparë për puntorët me “Kontratë mbi vepër”, e që kjo mënyrë e punësimit të militantëve partiak nuk do të zbatohet asnjëherë nga subjekti ynë, mirëpo qëllimi ynë është që të sjellim frymën e re të qeverisjes ku shteti, përkatësisht komuna është vend i cili garanton mundësi punësimi të barabartë pēr të gjithë qytetarët e saj.

Pra, të rinjët do ta kenë FJALËN në komunën tonë!

SPORTI

a) Sa i përket sportit, në mandatin tonë do të rregullohet stadiumi i qytetit dhe në muajin mars kur edhe fillon sezoni pranveror i ligës, do të jetë i gatshëm, sepse këtë stadium që 18 vite qeverisje kanë arritur ta shtrojnë vetëm me rërë dhe asgjë tjetër.

b) Në vitin e parë të qeverisjes do të blejmë dy autobus, njërin për ekipin e futbollit “UV MALISHEVA” si dhe një autobus për ekipet dhe disiplinat tjera sportive, po ashtu të gjitha ekipet tjera sportive t’iu sigurojmë kushtet e nevojshme do t’iu mundësojmë që t’i shfrytëzojnë autobusët e këtyre dy ekipeve, siç është ekipi i volejbollit, i futsallit etj.

SUNDIMI I RENDIT DHE I LIGJIT

a) Do të bëhet instalimi i kamerave të sigurisë në pjesët kryesore të qytetit;

b) Do të mbajmë takime të rregullta me këshillin e sigurisë komunale në mënyrë që të marrim masa për parandalimin e çfardo lloj krimi të mundshëm.

c) Trajnimet dhe rritja e vetëdijes së nxënësve për tu larguar nga perdorimi i narkotikëve.

INFRASTRUKTURA DHE URBANIZMI

1) Do të bëhet asfaltimi i të gjitha rrugëve të mbetura pa asfaltim por kjo nuk do të ndodhë siç ka ndodhur deri më tani së pari asfaltimi pastaj kanalizimi, pra duke bërë shpenzime shtesë të panevojshme si dhe duke i penguar qytetarët e Malishevës, por së pari do të rregullohet rrjeti i ujësjellësve, kanalizimeve pastaj do të bëhet rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve.

2) “FJALA” do ta zbatojë në përpikmëri ligjin për t’i legalizuar të gjitha objektet të cilat i plotësojnë kriteret ligjore, ndërsa ato objekte të cilat nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara do të mundohemi të gjejmë zgjidhje ligjore ose edhe rrënimin përfundimtar të tyre.

3) Do të funksionalizohen të gjithë ujësjellësit, dhe për çdo ngecje apo keqmenaxhim të personelit mbikqyrës do të merren masa ndëshkuese.

SHËRBIME KOMUNALE DHE ADMINISTRATË FUNKSIONALE

•Digjitalizimi i cili nënkupton tërë administratën e cila është nën juridiksionin e qeverisjes së komunës së Malishevës, e që nëpërmjet tij synohet që të shtohen kapacitetet punuese e menaxheriale, si dhe do të krijonte lehtësime dhe shmangien nga pritjet e gjata e të lodhshme. •Administratë ku llogaridhënia dhe transparenca do të jenë mënyrat e vetme për të arritur synimet e ketij programi.
•Me ardhjen e partisë “FJALA” në qeverisjen e komunës së Malishevës, më nuk do të ketë pritje të gjata me 10, 20, 30 minuta për një çertifikatë, ekstrakt të lindjes etj, mirëpo ky shërbim do të kryhet mbrenda 3-5 min.
•Po ashtu në kohën kur rritet fluksi i qytetarëve që kërkojnë dokumente të caktuara nga administrata komunale (koha kur vijnë bashkatdhetarët nga vendet e ndryshme) do të kemi zgjatje të orarit të punës së administratës komunale dhe do të shtohen të gjitha kapacitetet për rritjen e cilësisë dhe efikasitetit.

FJALA I TAKON POPULLIT!

NUK MUND TË KETË NDRYSHIME DUKE VOTUAR NJERËZIT E NJEJTË!

VOTO PARTINË FJALA NR. 46 ✔️
VOTO BEDRI BYTYÇI ✔️
PËR KRYETAR TË KOMUNËS SË MALISHEVËS
BARTËS I LISTËS PËR ASAMBLE KOMUNALE.