Janë kompensuar 530 persona për vitet e kaluara në burg për bindje politike

shefikUdhëheqësi i sekretarisë së Komisionit qeveritar për të drejtën e kompensimit për ish të burgosurit politikë, Shefik Sadiku, ka thënë se nga 11.200 ish të burgosur, 4.197 prej tyre do t’u bëhet kompensimi për vitet e kaluara në burg.

Në një bisedë për “Epokën e re”, ai ka bërë më dije se procesi i kompensimit është duke shkuar mirë.

“Janë 11.200 aplikues, prej tyre përfitues potencialë janë 4 197. Ligji i ndan ish të dënuarit në tri kategori: ish të dënuar, ish të burgosur dhe ish të përndjekur”, ka thënë Sadiku.

Ai ka treguar se kategoria deri në 60 ditë për momentin nuk kompensohet ende. “Kompensohet kategoria për ata që janë dënuar mbi 60 ditë dhe për këtë është diskrepanca e numrit prej 11 200 ish të burgosurve në 4 197 që janë përfitues potencialë.

Nuk do të thotë se nuk ndryshon ky numër. Atyre që u mungojnë dokumentet kur t’i plotësojnë do ta gëzojnë të drejtën e kompensimit”, ka deklaruar Sadiku, duke shtuar se deri më tani të drejtën e kompensimit e kanë gëzuar 530 ish të dënuar, 219 vitin e kaluar dhe 311 këtë vit.

Ai ka shtuar se mund të ketë edhe më shumë ish të burgosur, por ende nuk kanë aplikuar për arsye të ndryshme. Sadiku u ka bërë thirrje ish të burgosurve të aplikojnë në mënyrë që të dihet numri i saktë i tyre.

Ai ka thënë se sfidues këtë proces e ka bërë edhe kompletimi i dokumentacionit meqë, përveç mbushjes së aplikacionit, është dashur që aplikuesit të sjellin edhe dëshmi.

Sadiku ka treguar se në vitin 2018 është paraparë të përfundojë procesi i kompensimit për ish të burgosurit.