Ja shërbimet që i ka kushtëzuar komuna për mos pagesë të bërllogut

kuvendiNë mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal të Malishevës si pikë e rendit të ditës ishte kërkesa e Kryetarit të komunës për inicimin e procedurave për marrjen e vendimit për kushtëzimin e shërbimeve komunale me përjashtim të atyre të gjendjes civile, me rastin e mos  pagesës së faturës për mbledhjen e mbeturinave në Komunën e Malishevës.

Sipas burimeve brenda Kuvendit Komunal kjo kërkesë u miratua me 15 vota për, ndërsa 7 votuan kundër. Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar asambleisti i PDK-së Ahmet Rrahmanaj, i cili ka kërkuar edhe që të mos futet fare në rend të ditës, si dhe ai i Vetëvendosjes Valon Hoti.

Këto janë shërbimet të cilat nuk mund të kryhen brenda komunës nëse nuk e keni paguar bërllogun:

Shërbimet kadastrale, shërbimet e ofruara nga drejtoria për urbanizëm, shërbimet e drejtorisë për shërbime publike, shërbimet e zyrës së prokurimit, si dhe shërbimet që ofrohen nga drejtoria për ekonomi, financa dhe buxhet (tatimi në pronë) si dhe kushtëzimin e taksës komunale për regjistrimin e veturave, në kuadër të Kuvendit Komunal të Malishevës.