Ja sa banorë dhe votues ka Kosova!

Vlerësohet se në listat zgjedhore janë mbi 615 mijë votues më shumë se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë.

Gjithë ky dallim i madh në statistika është për shkak të dështimit të vazhdueshëm të institucioneve në pastrimin e listave zgjedhore, si rezultat i së cilës në të kaluarën kanë ndodhur keqpërdorime masive të votave në vend, shkruan sot gazeta Zëri.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti, kanë rreth 1.9 milion kosovarë, përderisa sipas statistikave zyrtare vendi nuk i ka as 1.8 milion banorë.

Gjithë kjo “fryrje” e numrit të votuesve është për shkak të mospastrimit të listave zgjedhore në vend, proces ky që ka dështuar në vazhdimësi që nga paslufta. Pikërisht për shkak të mospastrimit të këtyre listave në Kosovë në të kaluarën ka ndodhur manipulime të mëdha me vota.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka thënë për gazetën “Zëri” se listat zgjedhore në këtë proces zgjedhor të parakohshëm janë të pastruara.

“Kjo është një çështje e cila në çdo zgjedhje diskutohet, po ata janë të gjithë votues dhe i përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, sepse ne e marrim ekstraktin nga regjistri civil. Aty janë të përfshirë të gjithë diaspora dhe të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar, ata kanë edhe të drejtë vote”, ka thënë Daka.

Por me shefen e KQZ-së nuk pajtohet Mytaher Haskuka, i cili ka qenë deputeti i partisë më të madhe opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, në legjislaturën e fundit.

Haskuka thotë  se nëse bëhet një kalkulim i thjeshtë del se në listat zgjedhore janë 615 mijë persona më shumë sesa që ka banorë Kosova.