Ja çfarë ka miratuar sot Kuvendi Komunal në Malishevë

kuvendi-komunalSot është mbajtur mbledhja e njëmbëdhjetë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Malishevës, të cilën e drejtoi kryesuesi Aziz Thaçi. Në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës, dhanë betimin dy anëtar të rinj të kuvendit, Gazmend Krasniqi, i cili zëvendësoi Faton Krasniqin, nga radhët e IQM-së (NISMA) dhe Ramadan Thaçi, i cili zëvendësoi Durim Krasniqin nga radhët e LDK-së. Në këtë mbledhje, janë shqyrtuar e miratuar raporte, si dhe janë marrë disa vendime.

Fillimisht, KK i Malishevës, me shumicë të votave, ka miratuar kërkesat e LVV, për pjesëmarrje në Komitetin për Politikë dhe Financa, si dhe për formimin e Komitetit për Bujqësi. Po ashtu, KK, vendosi edhe për inicimin e procedurave për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës së Kuvendit të Komunës.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, pas shqyrtimit, me shumicë të votave, ka miratuar raportin e zyrës së prokurimit publik, për periudhën janar-16.08.2016. Pas kësaj, Kuvendi i Komunës, ka shqyrtuar edhe raportin e të hyrave dhe shpenzimeve për periudhën janar-shtator 2016.

Gjithashtu, pas shqyrtimit, KK i Malishevës, e dërgoi në diskutim publik, Rregulloren mbi Transparencën në Komunën e Malishevës, si dhe pas rishqyrtimit, është miratuar Rregullorja për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Varrezave Publike.

KK ka marrë vendim edhe për regjistrimin e një rruge publike, kërkesë e banorëve të lagjes së re, si dhe për zhvendosjen e një rruge në fshatin Jançist, me qëllim të mbrojtjes së varrezave publike.