Ja çka deklaruan policët e akuzuar për marrje ryshfeti?

Katër nga 20 policët e akuzuar për marrje ryshfeti, Shemsi Demolli, Sasha Nedelkoviq, Shaban Gërguri dhe Nuhi Zogaj, kanë mohuar se kanë marrë para nga kundërvajtësit e ndryshëm, në autostradën “Ibrahim Rugova”, në dhjetor të vitit 2016.

Këta katër zyrtarë policorë, kanë dhënë mbrojtjen e tyre, të hënën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Polici Shemsi Demolli, në mbrojtjen e tij, ka mohuar që ka marr para, nga personi që e kishin ndaluar për kundërvajtje, pasi që kishte tejkaluar shpejtësinë dhe e kishin liruar të vazhdojë rrugën, pa i shqiptuar dënim.

Kjo për shkak, se siç thotë Demolli, personi me emrin Orhan Rruci, u kishte thënë zyrtarëve policorë që të mos ia konfiskonin dokumentet, pasi që u kishte thënë se ka për të udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

“Pasi e lëshuam, më vonë u paraqit një rreshter, i cili na tha se kishin marrë një ankesë nga një qytetar, mirëpo këtë ankesë në bazë të informatave që i kemi, e ka bërë Inspektorati Policor i Kosovës”, ka deklaruar Demolli.

I akuzuari tjetër për marrje ryshfeti, polici Nuhi Zogaj, në mbrojtjen e tij, ka deklaruar për ngjarjen për të cilën akuzohet, ai kishte qenë në makinën e policisë, derisa jashtë thotë se ka qenë kolegu i tij, Naser Rama, duke biseduar me një kundërvajtës, që sipas tij, ishte një polic nga Shqipëria.

“Pasi na tregoi se ishte polic nga Shqipëria, ne i thamë të vazhdojë, kur papritmas më është hedhur një monedhë 500 lekë nga xhami, të njëjtën monedhë instinktivisht e kam larguar duke e hedhur jashtë makinës së policisë”, ka deklaruar Zogaj.

I akuzuari Sasha Nedelkoviq, ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje, por theksoi se nuk e ndjen veten aspak fajtor për këtë vepër penale, që i ngarkohet me aktakuzë.

Kurse, polici Shaban Gërguri, në mbrojtjen e tij, ka deklaruar se më 8 dhjetor 2016, ka qenë në orarin e paradites, kurse më 11, 12 dhe 13 dhjetor 2016, ka thënë se nuk i kujtohet saktë, por beson se ka qenë në ndërrimin me kolegun e tij, Ivica Gjokiq.

Të akuzuarit e tjerë Naser Rama, Blerim Zylfaj, Qerim Beqiri, Ardian Rrecaj, Sasha Nedelkoviq, Shemsi Zejnullahu, Lulzim Gashi, kanë vendosur të mbrohen në heshtje.

Për seancën e radhës mbrojtjen do ta japin edhe Shefki Zeka, Aziz Krasniqi, Safet Veliu, Afrim Rafuna dhe Ismail Azemi.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Serjani, ka njoftuar se ky shqyrtim gjyqësor do të vazhdojë më 13 dhjetor 2017, në ora 10:00.

Ndërkohë, në seancën që ishte mbajtur më 7 dhjetor të këtij viti, policët Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, ishin deklaruar të pafajshëm për marrje ryshfeti.

Ndërsa, një ditë më vonë, më 8 dhjetor, policët e akuzuar, në gjykimin ndaj tyre, kishin kërkuar që të mos shfaqen audio dhe video përgjimet ku prokuroria pretendon se ata vërehen duke marrë ryshfet.

Kjo kërkesë, nuk ishte kundërshtuar nga prokurori i rastit, Genc Nixha, me ç’rast edhe trupi gjykues kishte vendosur që provat audio dhe video të nxjerra gjatë përgjimeve të konstatohen si të shikuara.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarë policor të njësisë së autostradës “Ibrahim Rugova”, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej dy dhe tre zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast janë të akuzuar 20 policë, mirëpo në shqyrtimin fillestar, policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, kanë pranuar fajësinë./betimiperdrjtesi/