Intervistë ekskluzive me Adem Berishën, kandidat i VV-së për kryetar të Malishevës

MP: Z. Berisha jeni kandidat për Kryetar të Komunës së Malishevës, çka ju shtyri të kandidoni për kryetar të Komunës?

Kam vendosur ti hyjë garës për kryetar të Komunës së Malishevës për disa arsye.

Arsyeja e parë, Komuna e Malishevës ka nevojë për ndryshime përmbajtësore e të qëndrueshme që i japin zhvillim e progres Komunës tonë, që i hapin perspektivë rinisë dhe jetës së njerëzve që jetojnë e punojnë këtu.

Arsyeja e dytë është sepse një pjesë e madhe e qytetarëve të Malishevës, pa dallim partie ma kanë kërkuar këtë gjë. Shumica e qytetarëve të Malishevës sot të vetmen mundësi për ndryshim e shohin përmes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kandidaturës sime e cila ka ardhur si rezultat i një procesi demokratik të votimit fillimisht brenda subjektit që i takoj dhe e shtytjes së madhe që më kanë bërë shokët e luftës dhe bashkëpunëtorët tjerë me të cilët kam punuar në periudha të ndryshme.

Pra, janë qytetarët e komunës së Malishevës dhe nevoja për ndryshime përmbajtësore në Komunën tonë që më kanë shtyrë të kandidoj për zgjedhjet e 22 tetorit, që do jenë zgjedhje për zgjidhje të problemeve komunale dhe problemeve të shumta që kanë sot qytetarët e Malishevës dhe jo përsëritje e dështimeve.

MP: z.Berisha a mund të na flisni pak për biografinë tuaj?

Kam lindur në fshatin Gurbardh të Malishevës me 14 qershor 1966. Shkollimin fillor e kam kryer në fshatin Lumishtë, ndërsa shkollën e mesme në Malishevë dhe Rahovec, studimet i kam mbaruar në Shkollën e Lartë në  Gjakovë. Si fakultet të dytë kam mbaruar drejtimin Menaxhim i  Emergjencave edhe masterin po ne këtë drejtim.

Pas diplomimit për herë të parë punën e kam filluar në vitin 1990, si arsimtar në shkollën fillore “Eqrem Çabej”- “Habib Berisha” në Gurbardh.

Gjatë kohës së luftës, 1998-99, i jam përgjigjur thirrjes për mobilizim e angazhim për luftë, ku me shumë shokë kemi  veshur uniformën e UÇK-së menjëherë në vitin 1998, duke shërbyer në njësitin “Lumi”, e më vonë në Brigadën 122 “Imer Krasniqi”.

Në bazë të veprimeve dhe angazhimit tim luftarak në betejat në Temeqinë, Bllacë, Duhël, Rahovec, Sferkë, Astrazup, Malishevë, Zatriq si komandant i skuadrës, kam kaluar në Komandant të kompanisë, dhe më vonë Komandant Operative, S-3 në Brigadën 122 “Imer Krasniqi”, Zona operative e Pashtrikut ku kam shërbyer deri në përfundimin e luftës.

Pas luftës kam marr disa çmime për angazhimet e mia gjatë luftës, në vitin 2000 më është ndarë çmimi i parë “Imer Krasniqi” për trimëri, guxim dhe sakrificë gjatë luftës së UÇK-së nga Komuna e Malishevës.

Nga viti 2003 deri më 2010, kam shërbyer si Drejtor i Drejtorisë Komunale për Mbrojtje Civile dhe Shërbime Publike.

Në zgjedhjet lokale 2000/2003, kam qenë i zgjedhur me një mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e Malishevës si anëtar i Kuvendit Komunal të Malishevës.

Në vitin 2010 jam emëruar Këshilltar Politik i Ministrit te MMPH-së, në vitin 2011 jam zgjedhur udhëheqës i Divizionit të Banimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Ndërsa në vitin 2015 jam emëruar si Udhëheqës i Divizionit të Teknologjisë Informative dhe Shërbimeve Logjistike në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Ajo që mendoj është me rëndësi për aktivitetin tim  është që paralelisht me angazhimet politike jam angazhuar edhe në anën profesionale ku kryesisht kam menaxhuar me institucione lokale e qendrore publike të Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj kohe jam specializuar e ngritur profesionalisht. Në cilësinë e Udhëheqësit të DBN-MMPH-se, kam pas rastin të vizitoj Administratën e Qeverisë Amerikane lidhur me shkëmbimin e përvojave profesionale rreth administrimit të ndërtesave në bashkëpronësi. Kam takuar personalitetet me rendësi ku kemi marrë përvojat më të mira nga atje.

Përveç detyrave në administratën publike dhe vizitave profesionale në shumë vende të botës, kualifikimeve akademike jam angazhuar edhe në përfaqësimin dhe mbështetjen e kategorive të dala nga lufta dhe kategorive sociale të cilat janë pjesa më e rëndësishme e angazhimit tim në jetën publike e politike.

MP:  z.Bershia a mund të na flisni pak për pune  tuaj në Komunën e Malishevës?

Angazhimi im pas përfundimit të luftës në Komunën e Malishevës ka qenë përvojë shumë e mirë. Edhe në Kuvendin Komunal por edhe në administratën komunale ku kam shërbyer si drejtor jam përpjekur që me përgjegjësi të lartë morale e profesionale të ju përgjigjem kërkesave dhe nevojave që kanë pasur qytetarët e Komunës së Malishevës.

MP:  z.Berisha si mendoni të ndryshoni qeverisjen në Komunën e Malishevës?

Sot të gjithë qytetarët e Malishevës pajtohen që Malisheva ka nevojë për ndryshim. Gjithashtu ekziston mendimi se i vetmi subjekt që mund të ndryshoj në Malishevë është Lëvizja VETEVENDOSJE!

Gjeja e parë që po bëjmë bashkë me stafin tim është finalizimi i Planit qeverisës për Komunën e Malishevës për katër vitet e qeverisjes sime. Malisheva është qeverisur pa plan, është qeverisur deri tash nga një subjekt ku si Komunë jemi detyruar ta bartim barrën e financimit të Nismës. Është koha që buxheti komunal të ju kthehet përmes investimeve qytetarëve, e jo të përfundoj te një grusht i personave të një subjekti politik i cili për mbijetesën e tij e ka ngarkuar tej mase Komunën e Malishevës.

Pra plani im për qeverisjen Komunal që do të prezantohet së shpejti parasheh ndryshime dhe zgjidhje për problemet që ka Malisheva.

Në program janë përfshirë nevojat që ka Komuna e Malishevës, duke filluar nga zhvillimin ekonomik, shëndetësia, arsimi e infrastruktura. Natyrisht duke mos harruar transparencën radikale në financat publike që qytetari i Komunës së Malishevës do të dijë për çdo cent të komunës ku ka shkuar dhe si është menaxhuar.

MP: z. Berisha, a është e përgatitur VETEVENDOSJE! për qeverisjen e Malishevës?

Natyrisht që po. Puna që ka bërë Lëvizja VETEVENDOSJE! në Kuvendin Komunal ka treguar se aty ku është Lëvizja ai institucion ndryshon përmbajtësisht e formalisht për mirë. Për punën e përfaqësuesve tonë në Kuvendin Komunal ka pas edhe vlerësime nga organizatat që bëjnë vlerësime. Por tash është koha që punët e mira në Kuvendin Komunal, në qendrën e Lëvizjes VETEVENDOSJE! në Malishevë do ti bartim në ekzekutivin komunal.

Po punojmë ngushtë edhe me qendrën e Lëvizjes VETEVENDOSJE! që përvojat e mira në Komune e Prishtinës ti bartim edhe në Malishevë.

Si do të jetë Malisheva pas 4 viteve?

Kam besim dhe do të angazhohemi për një Komunë të zhvilluar, ku ka transparencë, ku ka shëndetësi dinjitoze, ku ka arsim me cilësi, ku investimet publike kanë qëndrueshmëri,  bëhen me plan dhe ku ka transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar.

Një Komunë  ku ka zhvillim të balancuar në mes të fshatrave dhe ku qytetaret janë të barabartë dhe ka mirëqenie për të gjithë.