“Interfaith Kosova”- Projekti i Petrit Selimit që dyshohet se keqpërdori mijëra euro të shtetit

Petrit_selimi

Auditorët kanë konkluduar se projekti “Interfaith Kosovo”, i udhëhequr nga zëvendësministri Petrit Selimi, ka marrë 15 mijë euro nga Ministria e Punëve të Jashtme. Projekti parashihte hulumtimin e opinionit publik për çështje të ekstremizmit fetar. Por, bartësit e këtij projekti nuk dorëzuan në ministri raport financiar e narrativ lidhur me këto shpenzime.

Përfshirja në projektin Interfaith Kosovo”, i cili avokon tolerancën ndërfetare, ka bërë që Petrit Selimi të portretizohet edhe si hero nga miq të tij.

Por, ky projekt mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku Selimi mban postin e zëvendësministrit.

Më herët ka qenë edhe ushtrues detyre i ministrit. Paratë që “Interfaith”, ka marrë nga MPJ-ja janë audituar nga Zyra e Auditimit të Përgjithshëm.

Gjetjet e auditorëve nuk i japin ndonjë epitet të heroit zëvendësministrit Selimi.

Përkundrazi, dyshohet se projekti i udhëhequr nga Selimi ka marrë para në mënyrë të parregullt nga shteti.

Në faqen zyrtare të “Interfaith Kosova” , shënohet se kjo nismë është pjesë “Diplomacisë Digjitale”, një projekt i përbashkët i Këshillit Britanik në Kosovës dhe MPJ’së . Po ashtu, shënohet se nisma “Interfaith Kosova”, ka për partnerë MPJ-në, AUK-un, ambasadën norvegjeze, këshillin britanik dhe Tony Blair Foundation.

“MPJ ka subvencionuar me 15,000€, projektin për hulumtimin e opinionit publik për çështje të ekstremizmit fetar. Implementues ka qenë ‘’Interfaith Kosova’’ dhe me marrëveshje është paraparë që përfituesi i subvencionit të dorëzoj raport narrativ dhe financiar rreth implementimit të projektit. Pagesa është bërë edhe përkundër që përfituesi nuk kishte sjellë raportin e kërkuar”, thuhet në raportin e auditimit, të publikuar javën e kaluar.

Auditorët vlerësojnë se Ministria e Punëve të Jashtme është dashur të mos bëjnë pagesën pa u pranuar fillimisht raportet.

“Mos kushtëzimi i pagesave me raportin narrativ dhe financiar nga përfituesi mund të rrezikoj shpenzimin e parasë publike për qëllime tjera dhe të ndikoj që subvencioni i dhënë të mos e arrijë qëllimin e synuar”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu, auditorët vlerësojnë se Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duhet të sigurojë se dhënia e subvencioneve monitorohet përmes raporteve narrative dhe financiare.

Ky monitorim, sipas auditorëve, do të mundësonte që menaxhmenti të sigurohet që mjetet janë shpenzuar sipas kërkesës së paraqitur në projekt- propozim.

Në raportet e auditiveve zakonisht figurojnë edhe përgjigjet e ministrive në të gjeturat e auditimit. Në disa prej të gjeturave, MPJ-ja ka dhënë përgjigje, ndërsa në raport nuk figuron se është përgjigjur edhe në konkludimet e auditorëve për rastin e “Interfaith Kosovo”.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet e Insajderit lidhur me këtë çështje.