Haxhiu: Veseli dhe Haradinaj po shkaktojnë precedent të rrezikshëm për Kuvendin

Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj e kanë degraduar Kuvendin e Kosovës, duke e shndërruar në institucion të pavlefshëm, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“I papranueshëm degradimi i Kuvendit nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj. Të dy këta, e kanë shndërruar Kuvendin në një institucion të pavlefshëm, që caktojnë e vijnë në seanca kur i mbetet kohë për shkak të agjendave të ‘ngjeshura’”, ka shkruar Haxhiu.

Kuvendi, sipas saj, ende nuk i ka përfunduar seancat e 16 prillit ndërsa sot jemi në fund të muajit maj.

“Pikat që presin të shqyrtohen janë afër 50 ndërsa seanca e nesërme është vendosur me anë të njoftimit me email, pa mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe ky është precedent i rrezikshëm”, ka shkruar tutje ajo.

Haxhiu ka thënë se “si Qeveri e pakicës, që po i shërben vetëm vetes, ka humbur legjitimitetin dhe si e tillë duhet të dorëhiqet sa më parë”.

“Nëse Haradinaj nuk e ka kuptuar ende se Kosova është pa Qeveri, atëherë le të kërkojë mocion votëbesimi në Kuvend. Një ditë më pak për Qeverinë e pakicës, një ditë më shumë për Republikën!”, ka përfunduar deputetja Haxhiu./Insajderi.com