Haxhiu për demarkacionin: Injorimi i kërkesave qytetare dhe opozitare do të prodhojë tensione të reja

albulena haxhiu fotoNjë prej deputeteve më të zëshme të opozitës, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, ka komentuar të gjeturat e Komisionit qeveritar për matjen e territorit i cili gjatë ditës së sotme tha se gjetjet e tyre përputhen me ato të Komisionit Shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi.

Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje, qysh në fillim ka paralajmëruar se cili do të jetë përfundimi i Komisionit për matjen e territorit, “andaj edhe e kemi kundërshtuar si të tillë”.

Ajo kritikon kreun e ekzekutivit, Isa Mustafën, për të cilin thotë se në vend të reflektimit, “vendosi kokë në vete të krijojë komisione si ky i fundit, për ta legjitimuar tradhtinë që e bëri Hashim Thaçi më 26 gusht të vitit 2015”.

“Mënyra se si u krijua ky komision, anëtarët që u zgjodhën, konkretisht kreu i këtij Komisioni, Hivzi Islami, një servil e njëri i nënshtruar karshi Mustafës, flasin më së miri për të vërtetat e këtij Komisioni. Këtë e dëshmojnë edhe deklarimet e dy anëtarëve të Komisionit. Është e turpshme e dhimbshme madje për ne e papranueshme të tentohet manipulimi me opinionin publik dhe të thuhet se Çakorri është jashtë territorit të Kosovës, tashmë kur secili fakt i publikuar e parasheh Çakorrin përbrenda territorit tonë, kjo është dëshmuar me qindra herë”, thotë Haxhiu në postimin e saj në Facebook, raporton Koha.net.

Deputetja e Vetëvendosjes tha se “zellit për të falur territor, ne do t’i përgjigjemi me kundërshtim, përbrenda dhe jashtë Kuvendit”.

“Qeveria, prej kohësh, zgjidhjen e kësaj çështje e ka pasur para duarve. Injorimi i kërkesave qytetare dhe opozitare, do të prodhojë tensione të reja, për të cilat do mbahet vetë përgjegjëse”, ka theksuar Haxhiu në fund.