“Haradinaj thoshte se Isa Mustafa nuk po ia del të merr vendime të mëdha, kurse tash vetë po i falë tokë Malit të Zi”

Lëvizja Vetëvendosje sot në mesditë ka organizuar një konferencë për shtyp në lidhje me demarkacionin. Në konferencë kanë prezantuar kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i Gupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca.

Glauk Konjufca ka thënë se kanë pasur kontakte me zyrat e huaja dhe me zyrtarët ndërkombëtarë për çështjen e demarkacionit.

“Ne jemi përgjigjur pozitivisht nga shefja e BE-së Apostolova dhe të tjerëve. Ne ua kemi thënë hapur se Lëvizja Vetëvendosje qëndron në pozicionet e mëparshme. Ne ju kemi thënë se më e mira do të ishte që marrëveshja e Murat Mehës dhe Hashim Thaçit të kthehet në pikën zero dhe të nis një raund i ri negociatash me Malin e Zi për kufirin”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa Albin Kurti ka thënë se duan të kenë marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi, por jo në kurriz të Kosovës.

“Por ne nuk e fajësojmë qeverinë e Malit të Zi. Por, gatishmëria e Malit të Zi për rinegociim nuk po përdoret për gjetjen e një zgjidhje më të mirë, por po përdoret për dyfishimin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë“ ka thënë Kurti.

Kryetari Albin Kurti tha se edhe pas votimit eventual të demarkacionit nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ramush Haradinaj na thoshte sa ishte në opozitë se qeveria e Isa Mustafës nuk po është në gjendje të marrë vendime të mëdha. A është vendim i madh falja e tokës”, ka thënë Kurti.

Kurti është përgjigjur nëse deputetët e Vetëvendosjes do të jenë unikë rreth demarkacionit.

“Nuk ka asnjë deputet të Vetëvendosjes që ka shprehur ndonjë qëndrim për ndryshim të bindjeve rreth temës së demarkacionit dhe Asociacionit”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Konjufca është shprehur i zhgënjyer me qëndrimin e deputetëve të LDK-së, që po bien pre e mashtrimit të Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit.

“Ne e kemi thënë edhe më herët se demakacionin nuk e kanë stopuar vetëm deputetët e opozitës dhe qytetarëve atëherë, por edhe për shkak të deputëteve të partive në pushtet atëherë të LDK-së dhe PDK-së. Tani kemi drojë se edhe ata deputetë të LDK-së që kanë qenë kundër marrëveshjes në të kaluarën tani janë për ta votuar marrëveshjen me aneksin e arritur nga presidenti Hashim Thaçi’, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, kjo aneks marrëveshje nuk paraqet kurrfarë obligimi ligjor ndaj Malit të Zi dhe se kjo është vetëm një strategji dalëse e Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit./Insajderi