Haradinaj: Rikallo nuk ka keqtrajtuar shqiptarët

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nëpërmjet një deklarate ka thënë se institucionet e sigurisë së shtetit nuk kanë të dhëna se ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo ka qenë i përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë.

Deklarata e Haradinajt u është përcjell mediave nëpërmjet zyrës për media të Kryeministrit sipas së cilës, kryeministri i ri  i ka marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999.

“Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Haradinaj nëpërmjet kësaj deklarate siguron qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veprojë sipas ligjit dhe përgjegjësive që ka.