Haradinaj ‘pranon’ Marrëveshjen për Asociacionin për të cilën protestonte në shesh

Ishte 9 janari i vitit të kaluar kur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tash kryeministër i vendit, u printe protestuesve të opozitës, bashkë me liderët tjerë politikë të opozitës.

U nisën nga Biblioteka Kombëtare për të marshuar drejt objektit të Qeverisë, të cilën e drejtonte Isa Mustafa (LDK), në bashkëqeverisje me Hashim Thaçin (PDK).

Nisja drejt Qeverisë kishte një synim – pengimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe Marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS).

Haradinaj u kishte bërë ftesë simpatizantëve të partisë së tij, por edhe të gjithë qytetarëve, që t’i bashkohen protestës kundër këtyre marrëveshjeve.

Protesta para qeverisë shkoi qetë deri në çastin e përfundimit të fjalimeve nga liderët politikë të opozitës.

Më pas doli gjithçka nga kontrolli.

Gaz lotsjellës ndaj protestuesve, molotov në drejtim të policisë. Shumë të plagosur nga të dyja anët. Protestues të arrestuar.

Kjo me të vetmin qëllim – kauza për t’i penguar këto dy marrëveshje, ndër to edhe ajo për themelimin e Asociacionit, raporton Insajderi.

Madje, bashkë me partitë tjera opozitare Ramush Haradinaj organizoi edhe peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime për të njëjtën kauzë.

Në tentim për t’i futur në Kuvend këto nënshkrime, Haradinaj kishte fyer pjesëtarët e sigurimit.

“Nalna n’kofshi t’zot, he nanën e nanës, idiotat…, ik, shtyju, shtyju, budallë”, u kishte thënë Haradinaj pjesëtarëve të sigurimit duke u futur me zor në Kuvend.

Haradinaj në programin qeverisës e futi edhe ‘Zajednicën’

Por është i njëjti njeri, i cili tash e udhëheqë Qeverinë e vendit, që Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit e ka futur në programin qeverisës 2017-2021. Dhe atë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për të cilët vetë kishte protestuar.

Në kohën sa ishte kandidat për kryeministër nga koalicioni PAN, Haradinaj kishte thënë se Asociacioni do të bëhen në pajtim me Kushtetutën.

“Sa i përket Zajedincës, zgjidhja do të bëhet me Kushtetutë. Jo Republikë Serbe në Kosovë, por zgjidhje me Kushtetutë”, kishte thënë ai në një intervistë për mediet vendëse.

Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ky program nuk është final dhe se ai do të plotësohet pas diskutimeve që do të zhvillohen në Kuvend dhe palët e tjera të interesuara në këtë proces, raporton Insajderi.

Por, sido që të jetë, themelimi i Asociacionit duhet të ndodh, për shkak se këtë e kërkojnë ndërkombëtarët.

Lista Serbe: Kusht është themelimi i Asociacionit sipas marrëveshjes në Bruksel

‘Qeveria Haradinaj’ arriti të jetësohet falë votave të Listës Serbe, e cila mori lejen nga Beogradi për këtë gjë.

Madje, vazhdimi i seancës konstituive u desh të shtyhet për disa orë, në pritje të deputetëve të  Listës Serbe, të cilët po ktheheshin nga Beogradi.

Ardhja e tyre në sallën e Kuvendit mundësoi themelimin e Kuvendit dhe Qeverisë.

Por, themelimi i Asociacionit është i lidhur ngushtë edhe me kushtet që Lista Serbe ia vuri Haradinajt për ta mbështetur atë në themelimin e institucioneve.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë bërë të ditur se kanë qartësuar kushtet në të cilat kanë vendosur të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte deklaruar se ndër kërkesat kryesore është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sipas marrëveshjes në dialogun në Bruksel.

Ai kishte thënë se Lista Serbe të gjithë hapat e vet do t’i ndërmarrë në interes të popullit serb në Kosovë.