“Guxo ta thuash”

Shkruan: Donarta Zulfaj

Diversiteti në pikëpamje është vlerë, mendimet ndryshe veçse e pasurojnë debatin, qoftë ai publik ose në rrethe të ngushta. Kësisoj, shprehja hapur e mendimeve dhe e pikëpamjeve bën që të zgjerohet në një dimension tjetër komunikimi mes individëve apo grupeve të caktuara shoqërore . Mirëpo, të mos mund ta shprehësh atë që mendon do të thotë shkelje e ndrydhje ,për më tepër, mohim total i njërës prej të drejtave dhe lirive themelore të vetë individit. Liria e të menduarit dhe shprehja e tij në mënyrë të lirshme, e paraparë në shumë konventa që shprehin pajtueshmërinë e gjerë të kombeve për të krijuar një mjedis joimponues, dhe që e drejta e shprehjes së lirë të jetë vlerë universale e popujve, por fatkeqësisht këto konventa mbeten ende nën hije për shkak të presioneve nga palë të ndryshme.

Të tilla presione nuk lënë hapësirë për komunikim korrekt mes grupeve shoqërore. Gjithashtu, faj në këtë cungim të lirisë kanë edhe stereotipet shoqërore brenda komunitetit, paragjykimet të cilat vijnë si pasojë e mospajtueshmërisë mes individëve me komunitetin për tema ose kauza te caktuara. Ndaj, edhe mendimi i izoluar ka shtrirje në shoqërinë tonë. Faktorët që ndikojnë janë të shumtë e vështirë të numërueshëm, mirëpo ndër kryesorët janë presionet politike, ekonomike ose të ngjashme, të cilat i paraprijnë nënshtrimit, e kësisoj edhe mbysin mendimin kundërshtues ose atë ndryshe nga ata që qëllim e kanë mbajtjen peng të një grupi shoqëror. Një tjetër faktor që ndikon në krijimin e stereotipeve dhe që e cungon lirinë e shprehjes është edhe stadi i arsimimit e i kulturës në shoqëri. Izolimi i shoqërisë sonë ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në krijimin e një ambienti të papërshtatshëm për komunikim të lirshëm dhe pa presione. Sigurisht që mbajtja peng e popullit dhe përjashtimi i tyre për qasje në arsim për shumë kohë ka ndikuar në krijimin e ambientit të këtillë.

Lëvizja e fundit, qasja në arsimim dhe komunikimet në publik përmes debateve të hapura, ka filluar të luftojë stereotipet e tilla duke tentuar të krijojë një ambient më të relaksuar komunikues. Mirëpo ende mbetet gjendje alaramate në disa formacione të ndryshme në komunitetin tonë, ndaj edhe kërkon angazhim të mjaftueshëm që kjo dukuri e shtypjes dhe e cungimit të lihet pas e të punohet për një ambient tjetër, i cili do të kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në produktivitetin e popullit tonë. Ata që nuk guxojnë ta thonë, nuk guxojnë as ta bëjnë, e ne kemi nevojë për shumë punë, për shumë bërje, ndaj edhe le të guxojmë të flasim pa drojë.