Gruaja e deputetit të AAK-së rehatohet në Bordin e PTK’së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar shtatë anëtarë të rinj të Bordit të Telekomit të Kosovës. Skënder Hoti, Besa Shatri-Berisha, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Suzana Angjelkoviq dhe Filiz  Krasniqi,  nga tash do të drejtojnë për tri vjet kompaninë më të madhe në vend.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nuk ka treguar nëse këta emra janë të afërt me ndonjë subjekt politik, ndonëse Periskopi ka mësuar se një prej tyre, konkretisht anëtarja e zgjedhur Besa Shatri-Berisha është bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekim Berishës.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë deputeti për Periskopin.

‘Po, po. Besa Shatri është gruaja ime’, ishte përgjigja e shkurtër e Bekim Berishës.

Haradinaj  sot gjatë një koference për media ka siguruar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të PTK-së  ka qenë i mirëfilltë, kur është pyetur se në listë janë futur emra politikë.

“Për sa janë politik, nuk mund them tash për tash, por mundem me ju siguru diçka se ka ndodhur një proces i mirëfilltë paraprak para këtij vendimi, por është shtyrë, sepse është bërë ndërrimi i Qeverisë, dhe se është i njëjti proces që është vazhduar. Andaj, edhe një praktikë e tillë  janë komisionet të cilat i bëjnë propozimin qeverisë. Pra, në tavolinë të qeverisë këta gjatë (emra) kanë ardhur”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, Bordi i Telekomit të Kosovës ka qenë jo funksional tash e më shumë se dy vjet. Në fillim ishin propozuar 24 kandidatë  të cilët i ishin nënshtruar intervistës për anëtar të bordit të Telekomit të Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike përveç që ishte pa bord tash e një kohë, ajo ka mbetur edhe pa kryeshef ekzekutiv pasi që mandati i drejtorit menaxhues, Agron Mustafa ka skaduar me 23 shkurt të këtij viti.

Para dy javësh, Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës përmes një shkrese drejtuar Qeverisë së Kosovës alarmoi se gjendja financiare në Postë është rënduar edhe më shumë muajve të fundit.

‘Duke e analizuar këtë situatë, ne njoftojmë Qeverinë e Kosovës dhe opinionin publik se më datën 1 prill 2018 do të vijmë në një gjendje ku ndërmarrja mos të mund të bëjë ekzekutimin e pagave të punonjësve dhe të përballemi me aktivitete të ndryshme sindikale të cilat ne i kuptojmë si të arsyeshme.’

Gjithashtu, është theksuar se vonesa e ekzekutimit të pagave me kohë ka shkaktuar pakënaqësi të theksuara në mesin e punëtorëve dhe sindikatave të cilët kanë paralajmëruar grevë dhe protesta.

Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e humbjeve financiare që ka Posta në ofrimin e Shërbimit Postar Universal si dhe në mos shlyerjen e obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar./Periskopi/