Gjendje e tmerrshme në Shkollën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë (Foto)

Në këto ditë kur po mbretëron moti i ftohtë dhe reshjet e shumta të shiut dhe borës, nxënësit e Shkollës Fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë po përballën me vështirësi të mëdha për të vijuar mësimin në këtë shkollë, sepse tash e sa kohë sistemi i ngrohjes në këtë shkollë është jo funksional dhe kushtet brenda saj janë aspak të favorshme për nxënësit.

Në disa fotografi të siguruara nga Malishevapress/ vërehet gjendje vërtetë e tmerrshme brenda objektit shkollor, papastërti gjithandej në klasa e korridoret dhe sidomos në tualetet e shkollës. Dyert e klasave janë të shkatërruara, ngjashëm edhe dyshemetë, këto dhe shumë parregullsi të tjera jo vetëm që po ua vështirësojnë nxënësve procesin mësimorë, por edhe po ua rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre.

Si mos të mjaftonte kjo, Drejtoria e Arsimit në Malishevë, që nga shtatori i vitit 2017, ka marr vendim që për shkak të numrit të madh të nxënësve në Gjimnazin “Hamdi Berisha” të bartën disa paralele të Gjimnazit në objektin e shkollës “Ibrahim Mazreku” . Kjo jo vetëm që e ka vështirësuar zhvillimin e procesit mësimor, por e ka bërë pothuajse të pamundur nga se nuk ka as edhe një mundësi që në një hapësirë e cila nuk i plotëson as kushtet minimale për filloristët , të mbingarkohet me nxënës të rritur të Gjimnazit.

Lidhur me këtë jo rrallëherë prindërit janë ankuar për kushtet e vështira në të cilat fëmijët e tyre vijojnë mësimin, por që shqetësimi i tyre vazhdon të has në vesh të shurdhër nga institucionet përgjegjëse. Dhe tash e sa kohë qeverisja komunale gjegjësisht DKAE në Malishevë nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret për përmirësimin e kushteve në këtë shkollë ku vijojnë mësimin numër i madh i nxënësve.