Gati për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës

Ministria e Arsimit së bashku me Drejtoritë Komunale të Arsimit, kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet nesër, ku do t’i nënshtrohen rreth 6 mijë maturantë, që nuk e kanë kaluar testin në afatin e parë.

Ndërsa, dita e dytë e provimit do të mbahet më 30 gusht.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se afati i dytë i provimit të maturës do të mbahet më 25 dhe 30 gusht. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se të gjitha drejtorive komunale u janë përcjellë shkresat, që përfshijnë rregullat, udhëzimet, detyrat dhe përgjegjësitë për maturantët, drejtorët e shkollave dhe administruesit. Ai tha se nuk ka ndryshime në formatin ë pyetjeve, por ka plane që në të ardhmen mund të ndryshojnë.\

“Nuk kemi ndryshuar, i kemi standardet me përmbajtje dhe me numër të pyetjeve të njëjta, forma dhe formati nuk ndryshon. Kemi plane që në të ardhmen të ndryshojmë diçka, por duhet të kemi përkrahje, sepse nuk ka mundësi kapaciteti të bëjmë me pyetje të hapura dhe një vlerësim i tillë kushton shtrenjtë.”

Sa i përket maturës Digjitale, projekt i cili është dashur të zbatohej, Kadriu tha nuk ka progres.

“Ne, si Ministri, atje ku është kërkuar nga Divizioni për Vlerësim e Standarde, kanë gatishmëri. Fillimisht ka pasur disa pengesa teknike. Besoj se Bit Austria e kanë për obligim të realizojnë edhe një pilotim të maturës shtetërore. Nuk e di nëse ne si shoqëri a jemi të gatshëm, derisa në shumë vende të zhvilluara nuk e kanë në formën elektronike, por megjithatë, ne kemi pasur tendenca, jemi munduar ta bëjmë mirë ashtu siç kemi pasur mundësi.”

Në ditën e parë maturantët do t’i nënshtrohen testit në 120 pyetje nga lëndët: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Anglisht, ndërsa në ditën e dytë, testi përmban 80 pyetje sipas lëndëve të drejtimeve përkatëse.