Flet shqiptari që u deportua nga Gjermania bashkë me katër fëmijët e tij

Hekuran Koçi është babai i katër fëmijëve të cilit iu refuzua azili në Gjermani. U kthye me katër fëmijët dhe bashkëshorten më 27 korrik nga autoritetet gjermane. Në sytë e tij ka shumë dëshpërim për të ardhmen e fëmijëve.

Jo vetëm me shqetësimin e regjistrimit të fëmijëve në shkollë, por me një sërë shqetësimesh të tjera po përballet familja e tij.

“Jam dëshpëruar shumë. Ika me tre dhe erdha me katër fëmjë. Erdha, por asgjë nuk funksionon si duhet në këtë vend. Kryeministri erdhi dhe iu tha autoriteteve gjermane të na kthejnë këtu në vendin tonë se këtu është vend i sigurt për fëmijët tanë. Shkova t’i bëja vaksinat djalit sipas udhëzimit të dhënë nga gjermanët, këtu vaksina nuk kishte fare. Erdha të regjistroj fëmijët në shkollë, duan dokumente të ndryshme. Ujin ma kishin mbyllur, e hapa kontratën të re, pagova 120 mijë. Nga të shkoj vetëm dëshpërim e mërzitje.

Do të iki prapë do kërkoj sërish azil, se këtu na mbytën, atje shëndetësia falas, këtu po s’pagove nuk merr gjë. Atje bëri vajza operacion krahun, asnjë lekë nuk dhamë! Këtu nuk të prek njeri me dorë në spitalet tona. Atje më lindi djali, më dha shteti 600 Euro. Jam shumë i dëshpëruar për të gjitha këto që po na bëjnë. Atje na jepnin 1600 euro në muaj për shpenzime, dhe ne i kursenim. Këtu po hamë kursimet e azilit, dhe më pas të mbytemi se punë s’ka, e asgjë nuk ka”, thotë prindi i katër fëmijëve./portali DurresLajm/