Flasin nga AAK-ja, tregojnë përfundimisht se kur do të formohen institucionet!

Prej të hënës nisin konsultimet e reja për konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë.

Pal Lekaj ka thënë se edhe AKR do të jetë pjesë e Qeverisë së re. Edhe zyrtarët e PDK’së kanë paralajmëruar se shpejtë do të ketë rezultate sa i përket formimit të institucioneve.

Partia e Ramush Haradinaj po beson se më në fund AKR do të lëviz drejt pjesëmarrjes në Qeverinë e re. Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, ka thënë se prej të hënës do të ketë lëvizje të shpejta në drejtim të konstituimit të Parlamentit dhe formimin e Qeverisë së re.

“Prej nesër do të ketë veprime instensive drejt krijimit të institucioneve. Besojmë se edhe AKR do të jetë pjesë e Qeverisë dhe konsitutimit të Parlamentit”, ka thënë Lekaj, të dielën, për Express.

Ndërkohë, zyrtarë të AKR’së nuk janë përgjigjur thirrjeve të Express lidhur me mundësinë e përfshirjes së tyre në Qeverinë e PAN’it.

Ndërkohë, Nënkryetari i AKR’së, Agim Bahtiri, para dy ditësh, ka thënë se i vetëm po e bllokon hyrjen e AKR’së në Qeverinë me PDK’në, AAK’në e NISMA’n. Në këtë mënyrë ka konfirmuar se edhe Pacolli është pajtuar të jetë pjesë e Qeverisë së udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Në fakt, Pacolli ka bërë disa lëvizje prej se ka hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK’në. Fillimisht, kishte folur fjalë të mira për LDK’në dhe Isa Mustafë. Por, pas certifikimit të zgjedhjeve është ankuar se është lënë anash nga LDK’ja dhe nuk ka pasur koordinim për zgjedhjet lokale.

Madje, Pacolli kishte dhënë edhe një ultimatum për LDK’në për të ndërtuar një koalicion me Vetëvendosjen. Pas këtij ultimatumi ka pasur edhe më shumë largim të Albin Kurtit e Isa Mustafa, i cili një ditë i quajti banditë e kriminal zyrtarët e Vetëvendosjes që e kishin sulmuar edhe në shtëpi private sa ishte Kryeministër.

Sidoqoftë, të enjten e ardhshme kalon afati i kërkuar nga PDK, AAK e NISMA, për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Kosovës e ndërprerë me 24 gusht.

Në seancën e fundit ku dështoi votimi për Kryetar të Kuvendit, Enver Hoxhaj kishte kërkuar shtyrjen e seancës për të paktën edhe dy javë. Kishte thënë se iu duhen më së shumti dy javë kohë për të vazhduar konsultimet lidhur me formimin e institucioneve.

Ndërkohë, Zëvendëskryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj, ka thënë të dielën për Express, se shpejt do të ketë zhvillime pozitive lidhur me formimin e institucioneve të reja.

“Jemi të vendosur për ta përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë sa më shpejt dhe definitivisht do të ketë zhvillime pozitive”, ka thënë Hoxhaj, për Express.

Ai nuk ka dhënë datën se kur do të mbahet seanca e radhës, por, sipas të gjitha gjasave vazhdimi i seancës konstituive pritet të vazhdojë të enjten e ardhshme.

Deri më tash janë mbajtur gjashtë vazhdime të seancave, por kanë dështuar të konstituojnë Parlamentit pasi PAN nuk ka siguruar numrat për votimin e Kadri Veselit për kryetar të Parlamentit.

Deri më tash, LDK e Vetëvendosje kanë refuzuar çdo bashkëpunim me PAN’in derisa Behgjet Pacolli e ka lënë të hapur mundësinë t’i bashkohet Kadri Veselit e Ramush Haradinajt.

Në fakt, Pacolli ka paralajmëruar ndërrim të pozicionit për shkak se Vetëvendosje dhe LDK nuk po arrijnë të bëjnë një marrëveshje për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

Bllokada politike ka hyrë në muajin e tretë pas zgjedhjeve që ishin mbajtur më 11 qershor e ishin certifikuar një muaj më vonë.