Flaka Surroi: Isa Mustafa e rrëzoi Fatmir Sejdiun se ia zgjati jetën Hashim Thaçit, vet e bëri president

flaka surroiPublicistja Flaka Surroi ka thënë se ishte vet Isa Mustafa ai që e kishte rrëzuar Fatmir Sejdiun nga pozita e kryetarit të LDK-së, me arsyen se ai ia kishte zgjatur jetën Hashim Thaçit në politikë.

Duke e vlerësuar një deklaratë të Mustafës, ku thotë se koalicioni qeveritar ka arritur shumë në kushte jo të zakonshme, Surroi thotë se vetë kryeministri e bëri Thaçin president, përkundër fushatës së tij zgjedhore për “jo koalicionit me PDK-në”, shkruan Periskopi.

Sipas Surroit, rezultatet e arritjeve të kësaj Qeveria dhe të këtij koalicioni janë kriza më e thellë politike, mungesa kronike dhe kritike e parasë në qarkullim, futja në përdorim e gjuhës isamustafiane, që sipas saj, kur ballafaqohet me ata që mendojnë ose veprojnë ndryshe, i ofendon duke i quajtur gomar, gjel, kullosa, pallavragji, zhurmagji e çka jo tjetër.

Komenti i plotë i Surroit:

“Kjo Qeveri dhe ky koalicion ka arritur shumë në kushte jo të zakonshme”… thotë kryeministri, pa përmendur se qe ai që e krijoi këtë situatë të pazakonshme, kur e shkeli premtimin me të cilin u bë kryetar i LDK-së: Sejdiun e rrëzoi për shkak se ky ia kishte zgjatur jetën Thaçit deri më 2010-n. Nga ana tjetër, vetë kryeministri e bëri Thaçin kryetar — edhe pse premtimi i tij zgjedhor kishte qenë “jo koalicionit me PDK-në”.

Rezultatet e arritjeve të kësaj Qeverie dhe këtij koalicioni janë: kriza më e thellë poltike që po zgjat qe gati tri vjet; mungesa kronike dhe kritike e parasë në qarkullim, që i mbytë bizneset dhe, futja në përdorim e gjuhës isamustafiane kur ballafaqohet me ata që mendojnë ose veprojnë ndryshe — duke nisur prej gomarit, gjelit, kullosave e deri te pallavragjitë dhe zhurmagjitë maltretues (gabimet ortografike jane tijat)…

E mbasi jemi te termet popullore, mbase do të na përshtatej edhe një për ta kristalizuar situatën në Kosovë: Qeverisë dhe koalicionit u ka humbur udha n’oborr…