Ferid Agani i afërt me spitalin që përfitoi afro 4 milionë euro nga Ministria

ferid agani

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe pronari i spitalit privat IMH, Josuf Elgormus, janë homologë partiakë.

Agani është kryetar i Partisë së Drejtësisë në Kosovë, ndërsa Elgormus është kryetar i Partisë së Drejtësisë në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.

Agani në kohën sa ka qenë ministër, bazuar në një marrëveshje të MSH-së me Spitalin IMH, i ka ndarë kësaj të fundit rreth katër milionë euro për trajtim të sëmundjeve të zemrës.

Marrëveshja ka paraparë që për disa kategori të pacientëve, të cilët nuk mund të trajtohen në Kardiologjinë e QKUK-së, MSH-ja është e obliguar që spitalit IMH dhe atij “EDA” t’ua paguajë nga 70 për qind të çmimit të stentimit të pacientëve. Megjithatë, në shumicën e rasteve këtyre spitaleve ua ka paguar 100 për qind.

Dosja e aferës “stenta”, të cilën e ka edhe gazeta, zbulon edhe raste kur spitalet janë paguar dyfish. Një herë ka paguar pacienti për ndërhyrjen e kryer e pastaj për të njëjtin pacient spitalin e ka paguar edhe MSH-ja.