Fatmir Peja, profesionisti që la gjurmë në arkeologjinë e Kosovës

Arkeologjia e Kosovës ka humbur njërin prej punonjësve shumëvjeçar, që do të mbahet mend si profesionist i rrallë e me karakter të fortë, i cili la gjurmë të mëdha në këtë fushë.

Arkeologu Fatmir Peja, që shquhej si njohës i madh i numizmatikës dhe epigrafikës ka vdekur të martën. Ai ishte 69 vjeç. I lindur në Pejë më 1948, pas studimeve Peja kishte filluar punën në Muzeun e Kosovës më 1979, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës dhe ai i Vendenisit janë vetëm dy prej pikave arkeologjike në të cilat ka punuar Peja. I dedikuar për fushën e numizmatikës dhe epigrafisë, ishte i bindur që Kosova e pasur me ari dhe argjend, shtypte monedha që nga antikiteti.

Kolegu i tij, arkeologu Kemajl Luci, ka thënë se në aspektin profesional, Peja ka qenë i vetmi njëri që ka mundur t’i zbulojë enigmat epigrafike dhe numizmatike.

“Në momentin që e ka kapur monedhën e ka ditur se cilës periudhë i takon e cilit perandor i është kushtuar”, ka thënë Luci.

Si arkeolog në kuadër të Muzeut të Kosovës, Peja kishte nisur hulumtimet e para në Ulpianë për të vazhduar me lokalitetin arkeologjik të Vendenisit në Gllamnik të Podujevës, në Grashticë, Gllarevë e lokalitete të tjera.