Familja Hoxha nga Bellanica e indinjuar me zvarritjen e rastit ndaj Limajt

Familja Hoxha nga Bellanica është e indinjuar me zvarritjen, sipas saj, të procesit gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, i cili po gjykohet për vrasjen e familjarit të tyre, Ramizit, më 2 tetor 1998.

Kjo familje, e cila në këtë gjykim është palë e dëmtuar, kërkon nga organet e drejtësisë të Kosovës që të marrin masa që procedura gjyqësore të zhvillohet sa më shpejt.

Në një letër dërguar në KALLXO.com, Fadil Hoxha thekson se familja është thellësisht e indinjuar me zhvillimin e procedurës dhe se ajo po dëmtohet nga zvarritjet.

Hoxha kujton se për seancën e paraparë për dje ka ardhur nga Sllovenia. Dhe vetëm kur ka hyrë në sallë e ka kuptuar se seanca nuk do të mbahej, për shkak se i akuzuari Limaj dhe mbrojtësi i tij e kishin njoftuar Gjykatën se nuk do të vinin për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit.

Sipas Hoxhës, ndërkohë që po bëhet gati një vit që nga ngritja e aktakuzës, deri më tani është mbajtur vetëm seanca e fjalës hyrëse.

Ai ankohet për zvarritjen e procesit, duke kujtuar se një herë i kanë marrë thirrjet për fillimin e gjykimit për në muajin maj, e pastaj janë njoftuar për shtyrjen për në gjysmë të qershorit.

“Ne e kemi kundërshtuar kërkesën e avokatit Rrecaj, i cili në fjalën hyrëse kërkoi që të gjitha provat dhe dëshmitë vetëm të lexohen. Unë kam kërkuar të vinë të gjithë dëshmitarët në proces”, thekson Fadil Hoxha, djali i Ramiz Hoxhës, i cili bashkë me Selman Binishin nga Banja janë ekzekutuar më 2 tetor 1998 nga persona të maskuar, për të cilët Prokuroria Speciale pretendon se kanë qenë ushtarë të UÇK-së dhe se zona në atë kohë ishte nën përgjegjësinë e të akuzuarit Limaj.

Nga ajo seancë, sipas tij, kanë kaluar 80 ditë deri në seancën e djeshme, e cila nuk u mbajt për shkak se mbrojtja e të akuzuarit e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të vinin për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit Tahir Rrecaj.