Eksperti gjerman ‘godet’ Limajn në gjykimin kundër tij: 50 për qind rrugët më të holla

Një ekspert gjerman në gjykimin e Limajt dhe të tjerëve tha se bazamenti i një rruge ishte përgjysmë më i hollë.

Jurgen Hutchenreuther, eksperti gjerman i rrugëve po dëshmon në gjykimin e Fatmir LImajt për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre.

Hutchenreuther në vitin 2012 i kishte bërë ekspertizën rrugës Ponesh- Zhegovc në vitin 2012.

Në gjykatë, doktori gjerman i ndërtimtarisë tha se trashësia e bazamentit të kësaj rruge ishte 50 për qind më e hollë se standardi.

Ai më tutje tregoi edhe të metat tjera të asfaltimit të rrugës Ponesh- Zhegovc.

“Problemi i parë ishte sipërfaqja e shtegut të atyre rrugëve, sipas standardeve tona nuk lejohet të përdoret betoni në asfalt por në këtë rast duhet të përdoret asfalti me gurë të thyer ose të imët”, tregoi eksperti gjerman.

Edhe zifti i përdorur në këtë rrugë, sipas ekspertit gjerman, duhej të ishte tjetër.

“Për këto lloj të rrugëve duhet të përdoret bitumeni i modifikuar pastaj ajo shtresa që vjen pas shtresës së lëmuar dhe edhe aty duhet të përdoret bitumeni i modifikuar”, shpjegoi Jurgen Hutchenreuther.

Ai tregoi edhe sa duhet të jetë jetëgjatësia e një rruge.

“Minimumi i jetëgjatësisë së një rruge duhet të jetë 12 vjet- mund të jetë më gjatë ose më shkurt, por kjo është mesatare, ndërsa garancia është 5 vjet”, tregoi eksperti.

Ai bëri të ditur se për ekspertizën e rrugës Ponesh- Zhegovc është marrë si bazë standardi gjerman i shtrimit të rrugëve, pasi sipas tij nga dosja e tenderit kanë munguar elemente në bazë të cilave mund të dihet për historinë e ndërtimit të asaj rruge.

Eksperti tregoi se për ta vlerësuar ndërtimin e një rruge duhet ditur përzierjen e materialeve të përdorura dhe trashësinë e saj, gjë sipas tij mungonin në tender.

Ai deklaroi se ishte kontaktuar nga EULEX-i për ta bërë ekspertizën e rrugës.

Blerim Prestreshi, avokati i Florim Zukës e pyeti ekspertin gjerman se çfarë do të thotë Standardi ZTV i përmendur në ekspertizë.

“Ky është standardi gjerman i standardeve europiane dhe këtu përshkruhet se si të ndërtohet, cilat materiale duhet t’i përdorim dhe cilat janë tolerancat dhe çfarë duhet të bëhet me ato”, tha Hutchenreuther.

Pastaj avokati Prestreshi e pyeti dëshmitarin se a përdoret ky standard vetëm në Gjermani dhe a është bazuar në këtë standard kur e ka bërë ekspertizën për Rrugën Ponesh- Zhegovc.

Dëshmitari e pranoi se standardi ZTV përdoret vetëm në Gjermani, ndërsa tha se për ekspertizën ka përdorur vetëm një pjesë të këtij standardi.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjykimi lidhet me disa rrugë të asfaltuara në Komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT1 dhe 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik. /Kallxo