Edhe një favor tjetër nga qeveria për serbët që jetojnë në Kosovë!

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ua ka lejuar të gjithë qytetarëve të vetë që të marrin patentën e shoferit të Republikës së Kosovës pa hyrë fare në test, me kushtin që të kenë në posedim lejen e vozitjes të Serbisë lëshuar para vitit 2016.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Milan Radojeviq, ka thënë për televizionin publik të Serbisë se ky është një vendim shumë i rëndësishëm për serbët e Kosovës.

Radojeviq shtoi se ky vendim është i rëndësishëm nëse merret parasysh se liria e lëvizjes për serbët e Kosovës është drejtpërdrejtë e kushtëzuar nga posedimi i dokumenteve personale.

“Është një vendim pozitiv për serbët, dhe ka të bëjë me marrjen e patentës së shoferit lokale apo të Kosovës, e cila do të mundësojë lëvizjen e lirë për serbët në Kosovë e Metohi”, ka thënë Radojeviq, transmeton Koha.net.

Ai tha se vendimi përfshin të gjithë ata që kaluan testin e vozitjes deri më 14 shtator 2016, kur u nënshkrua marrëveshja e fundit e lirisë së lëvizjes në Bruksel.

“Nga dokumentet e nevojshme, duhet të dorëzohet origjinali i patentës serbe të shoferit, e cila më duhet të ju them se do ju kthehet, certifikatën e provimit të vozitjes, pagesën e taksave, si dhe certifikatën mjekësore”, ka përfunduar Radojeviq.