Edhe Gjermanët mashtrojnë: Volkswagen pranon dallaveret e saj me makinat

VWVolkswagen ka pranuar se ka përdorur të njëjtën skemë manipulimi të ndotjes si në SHBA, edhe në automjetet e shitura në Europë.

Ministri gjerman i Transportit, Alexander Dobrindt tha se nuk është ende e qartë se sa është numri i makinave të tilla në tregun europian. Vetë kompania ka njoftuar pas shpërthimit të skandalit në Shtetet e Bashkuara, se në gjithë botën ndodhen 11 milionë automjete që kanë të instaluar një pajisje që tregon nivele të ndotjes shumë herë më të ulta nga ndotja reale.

Bëhet fjalë për automjete me motor nafte 1.6 dhe 2.0, që përfshijnë modelet Jetta, Beetle, Golf dhe Audi A3, prodhuar nga 2009 e deri në 2015 dhe Passat nga 2014 deri në 2015.

Ministri gjerman sqaroi se do të ndërmerren hetime dhe do të kryhen teste jo vetëm për modelet në fjalë, por edhe për të tjera prodhime të kompanisë.

“Besoj është e qartë se testimet për emëtimet nuk do të kushtëzohen vetëm për modelet në fjalë të Volfswagen, por do të shtrihen në të gjitha modelet e tjera të kompanisë”, tha ai.

Që prej nisjes së skandalit, aksionet e Volkswagen kanë rënë me 30 përqind në bursat ndërkombëtare, ndërkohë që zërat se manipulime me testet kanë kryer edhe kompani të tjera gjermane kanë penalizuar me 10 përqind humbje të vlerës së aksioneve në bursa edhe për BMW.