Dy raste të dyshimta me gripin H1N1 në 24 orët e fundit në Kosovë

h1n11Brenda 24 orëve në Kosovë janë shënuar dy raste të dyshuara të gripit të derrit. Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, sipas të cilit pacientët janë hospitalizuar dhe për këto raste po pritet rezultati, transmeton KTV.

Përmes komunikatës bëhet e ditur se në sezonin 2015/2016 në QKUK janë raportuar 6 raste të vdekjes.

“Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar edhe tre pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore, prej të cilëve 1 rast pozitiv në Influencë A, dhe dy raste kanë rezultuar negativ”, thuhet në komunikatën e këtij instituti, i cili ka apeluar te të gjithë drejtorët rajonalë të Shëndetësisë Publike të ngrihet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Zyrtarët e IKSHP-së tërheqin vërejtjen se virusi H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm.