Drenas: Kompania shkel tenderin, rebelohen banorët

rrugaBanorët e Bajicës së Drenasit janë shprehur të pakënaqur me cilësinë e punëve, që janë duke u zhvilluar në ndërtimin e rrugës në fshatin e tyre dhe kanë kërkuar nga autoritetet e Komunës së Drenasit që ato t’i ndërpresin menjëherë. Ata kanë kërcënuar se do t’i bllokojnë punimet nëse Komuna nuk ndërmerr masa për monitorimin e projektit dhe zhvillimin e punimeve sipas kushteve të parapara në tender.

Në mbështetje të banorëve ka dalë edhe një prej këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Drenasit, Xhavit Drenori, i cili jo rrallë ka akuzuar komunarët se nuk po bëjnë mbikëqyrjen e projekteve që po realizohen në këtë komunë, ndërsa operatorët ekonomikë i ka akuzuar se punët po i kryejnë pa cilësi.

Në anën tjetër, në Komunë thonë se punët në këtë projekt, por edhe në projektet tjera, po shkojnë në rregull. Banorët e Bajicës janë ankuar se projekti i rrugës, që është duke u ndërtuar në fshatin e tyre, nuk po zbatohet sipas paramasave të tenderit dhe se këtë punë shkel e shko të punëkryerësit po e lejojnë autoritetet komunale, duke mos i mbikëqyrur punimet.

Ndërkaq asamblisti nga PDK-ja, Xhavit Drenori, duke folur për shqetësimin e banorëve ka sqaruar se kompania që është duke kryer punët nuk po u përmbahet parametrave të tenderit dhe se punën është duke e bërë shkel e shko.