Donika Gërvalla ia numëron gënjeshtrat Isa Mustafës

donika gervallaE bija e veprimtarit Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla ka shumë PSE? për Isa Mustafën.

Ajo pyet përse Mustafa më ngulm dhe me çdo çmim kërkon të ratifikojë një marrëveshje që cenon sovranitetin, pyet pse pretendohet të matet saktë territori i një vendi, i cili sipas saj, ende nuk i ka të përcaktuar kufijtë.

Gërvalla nuk ndalet me kaq. Thotë se shumë gënjeshtra po thuhen nga Qeveria e të nesërmen po harrohen të gjitha.

Shkrimi i saj  plotë:

PSE?

PSE Isa Mustafa me kaq ngulm dhe me çdo çmim kërkon të ratifikojë një marrëveshje që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës? Aq më tepër që alternativat janë të shumta.

PSE nxitet konflikti brenda shoqërisë kosovare duke mos u marrë me zgjidhjen e problemeve, por duke i luftuar me çdo kusht kundërshtarët?

PSE pretendohet se mund të matet saktë territori i një vendi, i cili nuk i ka ende të përcaktuar saktë kufijtë e tij?

PSE nuk matet territori, nëse komisioni quhet komision për matjen e territorit?

Si i arsyeton para familjes së vet zëdhënësi i komisionit cirkun dhe deklaratat e tij? Po anëtarët e tjerë të këtij komisioni për pseudomatje?

PSE guxon Kryetari i Akademisë së Shkencave ta keqpërdorë kështu këtë institucion dhe ta rrezikojë të ardhmen e vendit në këtë masë?

PSE harxhohet kaq shumë energji dhe para për të prodhuar „fakte“ të rreme?

PSE nuk hartohet një strategji serioze për bisedime të reja me Malin e Zi rreth demarkacionit, duke përfshirë në hartimin e strategjisë ekspertë të dëshmuar të fushave përkatëse?

PSE harxhohet kaq shumë energji për të organizuar gjueti shtrigash duke sulmuar dhe hedhur baltë mbi çdo person, i cili vë në pah me fakte dhe argumente gabimet, manipulimet dhe rreziqet e kësaj marrëveshjeje për integritetin territorial të Kosovës dhe të ardhmen e të gjithë rajonit?

PSE ushqehet lufta e shtrigave duke armiqësuar përmes rrenave brezin e ri me ata të cilët qëndrojnë besnik të qëndrimeve të tyre parimore dhe të drejta?

PSE Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli e gënjejnë opinionin duke pretenduar se Bashkimi Evropian kërkon që pikërisht kjo marrëveshje u dashka të ratifikohet?

PSE Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli nuk tregojnë se Bashkimi Evropian kërkon zgjidhjen e çështjes së demarkacionit në marrëveshje me Malin e Zi, por jo pikërisht këtë marrëveshje? Pse gënjejnë duke heshtur rreth faktit që Bashkimi Evropian nuk vendos kushte të tilla sepse respekton sovranitetin e Kosovës?

PSE HashimThaci, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli e nxjerrin BE-në në mënyrë indirekte gënjeshtare në sy të opinionit kosovar?

PSE Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli e gënjejnë opinionin duke pretenduar se pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje të rrezikshme, pra heqjes dorë nga një pjesë e territorit të Republikës, do të liberalizohen vizat edhe për Kosovën?

PSE Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa asnjëherë nuk e përmendin luftën kundër krimit dhe korrupsionit, pra kushtin kryesor të Gjermanisë dhe shteteve të tjera të BE-së për heqjen e vizave edhe për kosovarët? PSE vallë?

Me çfarë të drejte këta njerëz vendin tonë e kthejnë do ditë në objekt të hajgares dhe sarkazmës në të gjithë kontinentin?

Pse Isa Mustafa ka kaq shumë frikë dhe nga kush?

Pse Hashim Thaçi mendon që mund ta dëmtojë Kosovën deri në palcë pa paguar asnjë çmim?

PSE Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i sovranit, nuk thërret komision hetimor për të shqyrtuar këtë marrëveshje skandaloze të nënshkruar nga qeveria Thaçi dhe rrethanat dhe shkaqet e krijimit të një komisioni tërësisht inkompetent ?

PSE në grupin parlamentar të LDK-së askush nuk ndërmerr nismën për të hedhur në votëbesim këtë qeveri që i gënjen qytetarët e saj, që shkel kushtetutën dhe integritetin territorial të Kosovës dhe me veprimet e saj tërësisht të pamatura dhe të bazuara në frikë dhe inat na armiqëson me partnerët, miqtë dhe fqinjët?

Dhe në fund: PSE ne i dëgjojmë të gjitha këto rrena, debatojmë rreth tyre kafeneve dhe pastaj biem e flemë, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Natën e mirë pra dhe gjumë të ëmbël!/Persikopi/