DKA në Malishevë fton policinë për mbajtjen e rendit gjatë testit të maturës (Dokument)

Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Malishevë, në prag të përgatitjes së afatit të dytë të testit të maturës që do të mbahet me 30 gusht, ka ftuar Policinë e Kosovës që atë ditë të jetë e angazhuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë, në shkollat ku do të zhvillohet testi për maturantët. Një ftesë e tillë drejtuar komandantit të policisë në Malishevë, Halil Morina, është bërë publike në ueb faqen zyrtare të komunës., ku janë njoftuar edhe drejtorët e shkollave ku do të zhvillohet ky proces.

Kjo është një praktikë e re që po ndodh, ku në të kaluarën i gjithë procesi është menaxhuar nga mësimdhënësit dhe personat zyrtarë të angazhuar nga MASHT. DKA nuk ka dhënë informata shtesë lidhur me këtë,por që një gjë e tillë ndoshta po bëhet për pasojë që deri me tani ky proces është manipuluar në forma të ndryshme dhe për pasojë rezultatet e nxënësve kanë dalë në shpërputhje të plotë me suksesin e tyre të arritur gjatë shkollës së mesme.