Dikush vjedh e vret – nuk dënohet, e dikush dënohet për 5 euro!

faik krasniqiOpinion nga: Faik Krasniqi
Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh të drejtën në botën tonë, ashtu siç është e vështirë të gjesh të vërtetën. Kjo, sepse njerëzit kurrë nuk kanë gjithmonë të drejtë, pra e drejta absolute tek ne nuk ekziston! Ne mund të flasim për të drejtën e të padrejtën në jetën tonë të përditshme. E drejtë quhet aksioni, vendimi apo çfarëdo qoftë i bërë brenda logjikës dhe në dobi të shoqërisë njerëzore dhe e kundërta quhet padrejtësi. Por, edhe këtu ka një por, sepse për dikë ‘e drejta’ është e drejtë dhe po kjo ‘e drejtë’ për dikë tjetër është e padrejtë.
Kur, diçka quhet e drejtë dhe kur e padrejtë? Për aq kohë sa veprimi, fjalët, reagimi i dikujt nuk prekin dhe nuk rrezikojnë interesat e mia quhet e drejtë, në të kundërtën e padrejtë. Për të gjithë ne kjo është….ndonëse dhe gabojmë! Dhe normalisht duhet të jetë kjo…… E drejtë kur veprimet tona nuk cenojnë një tjetër dhe janë të arsyetuara, e kundërta e saj është e padrejta! Drejtësia tek ne është një fjalë abstrakte që është shpikur nga të padrejtët, nga hienat dhe horrat e politikës.
Drejtësia tek ne është iluzion – ajo nuk ekziston, në kuptimin e thellë të fjalës. Sa më qeshet kur thuhet ligji është i njëjtë për të gjithë, lëre më pastaj se sa i drejtë është ligji, kur të gjithë ne e dimë se këtu ligji nuk është i njëjtë për të gjithë. P.sh. dikujt i lejohet të mashtrojë, të vjedhë, të korruptohet, të kërcënojë, ndërsa tjetërkujt jo. Dikush për mospagesë të një fature dënohet me disa muaj burg, e dikush tjetër vret, vjedh e abuzon me miliona dhe nuk preket nga ligji!