Dikur vetë refugjat nga Kosova, tani kërkon mosviktimizim të refugjatëve sirianë

refugjati

Shkëlqim Kelmendi kishte përjetuar momente të vështira në fëmijërinë e tij. Ai ishte i ri kur lufta kishte filluar në Kosovë dhe fare pak e kuptonte atë që i ndodhte familjes dhe të afërme përreth.

Lufta kishte përfshirë pjesë të shumta të Kosovës dhe ai së bashku me nënën, babanë dhe motrën ishte detyruar të lëshonte shtëpinë në të cilën jetonin prej vitesh. Kur forcat policore serbe kishin filluar vrasjet e shumta neper tërë territorin e Kosovës, familja Kelmendi kishte kaluar shtatë ditë në mes të malit pa e ditur nëse do të mbeteshin të gjallë.

Më këtë rrëfim Shkëlqim Kelmendi që tani jeton në Amerikë e nisë një shkrim autorial në gazetën e njohur amerikane “Dallasnews.com”. Përmes rrëfimit dhe përjetimeve të luftës, Kelmendi bënë thirrje për t’i ndihmuar refugjatët e shumtë sirian që janë ngujuar në Evropë. Duke e ndërlidhur me sulmet e Parisit, Kelmendi thotë se bota po atakon një grup të pafajshmish e që janë refugjatët sirianë.

Më poshtë po ua sjellim shkrimin e plotë:

Parisi përjetoj një sulm barbar dhe tragjik në të cilin u shuan qindra jetë të pafajshme. Ky akt çnjerëzor ngriti në këmbë persona nga e gjithë bota për të treguar solidaritet me Parisin dhe në një mënyra na bëri së bashku të gjithëve.

Sido që të jetë, këto sulme krijuan frikë të madhe, frikë kjo e pa përjetuar që nga sulmet e 11 shtatorit, frikë që e njëjta gjë mund të ndodhte në kafenetë tona apo në koncertin e radhës në të cilin do të merrnim pjesë. Kjo frikë tashmë ka shtyrë njerëzit që të viktimizojnë/atakojë një grup tjetër të pafajshëm: refugjatët sirian.

Në vitin 1999, pasi forcat policore serbe filluan vrasjet masive të shqiptarëve ne të gjithë territorin e vendit, familja ime u detyra të lëshojë shtëpinë. Ne kaluam shtatë ditë në shi në një hapësirë të hapur në mes të Kosovës dhe Maqedonisë. Nuk kishim ushqim e madje as strehim. Unë dhe motra ime flinim të shtrirë në tokë, mbi gjoksin e prindërve tanë të cilët na mbulonin me një qese plehrash në mënyrë që të na mbanin të ngrohtë. Ne ishim të lodhur psikologjikisht dhe të dërrmuar emocionalisht. Prindërit e mijë ishin të detyruar të fshihnin dhimbjen duke ditur se gjyshërit, daja dhe një tezak 14 vjeçare ishin masakruar vetëm disa ditë më parë, informacion ky të cilin ata e dinin se ne nuk do të mund të përballonim.

Më në fund në ditën e tetë, ne u lejuam që të futemi në Maqedoni. Ne kaluam muaj në kampe refugjatësh, përpara se të informoheshim se jemi përzgjedhur që të shkonim në SHBA.

Vendimi që të largoheshim përgjithmonë nga shtëpia jonë ishte vërtetë torturues. Megjithatë, prindërit e mi dëshironin që unë dhe motra ime të kishim një mundësi të cilën ata asnjëherë nuk kishin pasur, mundësi e cila nuk të paraqitet shpesh. Kjo ishte një shans që të rritemi në një komunitet të sigurt me mundësi për arsimim të mirë si dhe të përjetonim ndjenjën e lirisë.

Arritëm në Dallas pa ditur fare gjuhën angleze. Ne dinim pak për kulturën amerikane dhe u përballëm vazhdimisht me vështirësi. Por në vitin 1999-të, komuniteti i Dallas-it u bashkua për të na ndihmuar të integroheshim në shoqëri. Ata na trajtuan neve me respekt dhe dinjitet, diçka të cilën nuk ishim mësuar ta shihnim në vitet e luftës. Ata na dhanë shpresë së një jetë më e mirë mund të jetë e mundshme.”

Në vitin 2009-të, prindërit e mijë u kthyen sërish në Kosovë dhe unë regjistrova studimet në “Southern Methodist University”. Në vitin 2013-të diplomova për ekonomi dhe tani jam përqendruar që aftësitë e mija t’ia kthej qytetit të Dallas-it dhe atyre që janë në nevojë.”

Unë nuk jam ndryshe nga ata qindra-mijëra refugjat që sot janë duke qëndruar të bllokuar neper fusha të ndryshme në Evropë. Në fakt 16 vite më parë, isha unë ai. Ashtu si familja ime la shtëpinë; jo nga dëshira por për mbijetesë, ata janë duke lënë pas tyre gjithçka vetëm për t’i mbrojtur fëmijët e tyre, ndërsa tani ne po i cilësojmë “terroristë”. Ata e duan qytetin e Parisit, porse janë viktima të terrorizimit. Ata nuk kërkojnë lëmoshë e as mëshirën tonë. Ata vetëm kërkojnë një shans dhe ne duhet tua zgjasim dorën për ndihmë.

Unë jam i përkushtuar që atyre tua japim një shans, sepse një e tillë mu dha mua. Njerëzit besuan në mua dhe familjen time dhe unë besoj tek njerëzit të cilët po kalojnë neper hapat që unë i kam përshkuar më parë.

Në mesin e refugjatëve sirian mund te jetë Madeleine Albright apo Albert Einstein-i i ardhshëm, persona që transformuan botën dhe se vet ishin refugjat të pranuar nga SHBA-të.

Mirësia e të huajve është diçka që rezonon mbi të gjithë neve, përmes përvojave personale. Por ne kemi lejuar që frika të na verbojë humanitetin tonë. Por unë besojë në mirësinë e njerëzve të Dallasit sepse e kam përjetuar vet. Ne duhet të tregojmë dhembshuri dhe të ofrojmë ndihmë për të gjithë ata që janë në nevojë dhe nuk duhet të lejojmë që humaniteti ynë të lëkundet nga frika.

Shkëlqim Kelmendi punon në Bankën e Rezervave Federale në Dallas të SHBA-së, ndërkohë është aktiv në organizime të ndryshme që bënë komuniteti shqiptar në Amerikë.