Derdhja e ujërave të zeza nga kanalizimi, po u’a kërcënon seriozisht shëndetin e banorëve të Carrallukës (Video)

Kështu po vazhdojnë të helmohen sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore në fshatrat Carrallukë, Mirushë dhe fshatrat tjera që lidhen me rrjetin e kanalizimit i cili vazhdon të derdhet në liqenin artificial të Mirushës.

Në videon e siguruar nga Mp/ vërehet rrjeti i kanalizimit i dëmtuar dhe se si nga puseta derdhen ujërat e zeza duke përmbytur livadhet dhe tokat bujqësore në fshatin Carrallukë. Kjo derdhje e ujërave të zeza përveçse ka shkatërruar sipërfaqet bujqësore po vazhdon të rrezikoj edhe shëndetin e banorëve të Carrallukës, shumica e të cilëve furnizohen me ujë të pijes nga bunarët e tyre privat të cilët ndodhën në pjesën e fshatit e cila po vazhdon të përmbytet nga derdhja e kanalizimeve.

Sipas burimeve tona brenda fshatit për prishjen e rrjetit të kanalizimit dhe për rrezikun me të cilin po përballën banorët e fshatit komuna është njoftuar tash e sa kohë, por që nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret në rregullimin e rrjetit të kanalizimit dhe në largimin e ujërave të zeza nga kjo pjesë e fshatit. Banorët shprehin shqetësimin e tyre, sidomos në këtë periudhë kur temperaturat janë ngritur dhe ku kundërmon era e kanalizimit që përveçse është e padurueshme është edhe e rrezikshme për shëndetin e tyre.