Deputetja Bytyçi mori rrogë të mësimdhënëses pa qenë fare në mësim

shukrije_bytyqi

Angazhimi si deputete e Kuvendit të Kosovës bëri që Shukrije Bytyçi të tërhiqet nga mësimdhënia në Qendrën e Kompetencës në Malishevë, ku ishte e angazhuar që nga themelimi i këtij institucioni.

Por, njëjtë nuk ndodhi edhe me pagën e saj. Në listën e pagave, të cilën e ka siguruar KTV-ja, shihet se deputetja e Nismës ka marrë pagë edhe për muajin tetor, pa qenë fare e pranishme në mësim.

Për këtë situatë të krijuar, Shukrije Bytyçi fajin ua hedh dy institucioneve të cilat nuk po gjejnë rrugë bashkëpunimi mes vete tash e një kohë.

E drejtori i Qendrës së Kompetencës në Malishevë thotë se ai dorëheqjen e Bytyçit e ka dorëzuar në Drejtorinë e Arsimit në Malishevë, por kjo kërkesë nuk shkoi më tutje, duke bërë që Bytyçi të vazhdojë të marrë pagë pa qenë fare në mësim.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Malishevës, Blerim Thaçi, përmes telefonit, ka konfirmuar se kjo komunë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve, ka shkëputur bashkëpunimin me Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional, e cila ka nën menaxhim qendrat e kompetencës në gjithë vendin.

Si shkak i kësaj, Thaçi tha se nuk është marrë parasysh kërkesa e dërguar për dorëheqje, përcjell kooha.net. Mirëpo, drejtori i kësaj agjencie, Ragip Gjoshi, ka thënë vetëm se ky institucion nuk ka pranuar kurrfarë kërkese për dorëheqje dhe se në momentin që pranon do të mund ta heqë emrin e deputetes së Nismës nga lista e pagave.

E deputetja Bytyçi thotë se pagën, të cilën e mori gabimisht, do ta kthejë në rast se institucioni do ta kërkojë./koha.net