Deputeti i LDK-së, për Demarkacionin me Malin e Zi: Kosova po humb 8229 hektarë (Video)

bulliqiDeputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, njëherësh profesor i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtna”, ka deklaruar për emisionin “Kontakt” në “Tribuna Channel” se që nga muajt prill-maj të këtij viti, kanë filluar të merren seriozisht me marrëveshjen për Demarkacionin me Mali i Zi.

Ai tha se Kosova humbë 8229 hektarë me marrëveshjen e arritur me Malin e Zi por, sipas tij, fat i madh është se marrëveshja ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi pasur informacione as nga Qeveria e as nuk burimet tjera. Pasi bëmë hulumtim, Qeveria e Malit të zi doli me publikimin e marrëveshjes. Të gjitha ato punë që janë bërë, ka ndryshim dhe diferenca mes vijës kufitare e cila ka qenë më herët, në raport me atë që Komisionet e Kosovës dhe Malit të Zi janë duke i paraqitur. Janë 8229 hektarësh që po shkojnë në dëm të Kosovës”, u shpreh Bulliqi.

Profesori universitar nënvizoi se informacionet që kanë janë vetëm nga ana e Qeverisë së Malit të Zi kurse, sipas tij, Komisioni i Kosovës për Demarkacionin nuk ka dhënë një raport zyrtar për opinionin publik.

Bulliqi theksoi se kanë pasur edhe takim me kryeministrin Isa Mustafa, ku ia kanë treguar të gjitha të dhënat që i kanë gjetur.

Deputeti i LDK-së nënvizoi se pikat kufitare, Kulla dhe Çakorri, gjatë gjithë periudhës historike të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kanë qenë pika kufitare ndërmjet dy vendeve, ndërkaq me tërheqjen e re të vijës kufitare, po mbesin në territorin e Malit të Zi.