Demarkacioni e dërgon Haradinajn në Mal të Zi

Kryeministri Ramush Haradinajn vizitën e parë jashtë shtetit do ta realizojë në Tiranë dhe më pas pritet ta vizitojë Podgoricën, ku me autoritet shtetëror atje do ta diskutojë çështjen e demarkacionit të kufirit mes dy vendeve. Pala kosovare shpreson që kjo marrëveshje mund të rinegociohet, përderisa ajo malazeze e sheh si kapitull të mbyllur.

Kryeministri Ramush Haradinaj së shpejti pritet ta vizitojë Malin e Zi, ku me zyrtarët shtetërorë në Podgoricë do të mundohet ta “sqarojë” çështjen e demarkacionit mes dy vendeve.

Kjo njëherësh do të jetë ndër vizitat e para të shefit të Qeverisë kosovare jashtë shtetit, pasi që ka qenë pikërisht ai që e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, të nënshkruar dy vjet më parë në Vjenë.

Haradinaj sa ishte në opozitë pretendonte se me këtë Marrëveshje të Demarkacionit Kosova i humb 8200 hektarë tokë, përderisa kufiri i Kosovës, sipas tij, do të duhej të jetë në Çakorr, shkruan “Zëri”.

Pas marrjes së “timonit” të Qeverisë Haradinaj shkarkoi Komisionin për Demarkacion me në krye Murat Mehën dhe në vend të tij emëroi ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili po ashtu e kundërshtonte një Marrëveshje të tillë të Shënimit të Kufirit me Malin e Zi.