Çka u diskutua dhe u votua dje në seancën e Kuvendit Komunal në Malishevë?

Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi Rrahim Morina, ka mbajtur dje mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje, KK i Malishevës, ka marrë disa vendime, që kryesisht kanë të bëjnë për ndërrim destinim të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, si dhe një rregullore, e ka dërguar për shqyrtim publik. Po ashtu është shqyrtuar edhe raporti i komisionit, i cili është marrë me shqyrtimin e realizimit të kontratës për mbulimin e shpenzimeve në ceremonitë e varrimit.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, në mbledhjen e sotme, i ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme disa nga pikat e parapara për shqyrtim në këtë mbledhje, ndërsa i ka miratuar tetë kërkesa të qytetarëve, për ndërrim të destinimit të tokës bujqësore, në tokë ndërtimore.

Rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, për vitin 2018, e ka dërguar në diskutim publik. Po ashtu, në këtë mbledhje, KK i Malishevës, i ka miratuar emrat e anëtarëve në disa nga komisionet dhe komitetet e formuara.

Për shkak të paqartësive në procesin e votimit, anëtarët e KK, nuk i kanë miratuar emrat për anëtarët e Komisionit të Aksionarëve. Për këtë situatë të krijuar, anëtarët e NISMA Social Demokrate, e kanë lëshuar mbledhjen.

Në këtë mbledhje, Kuvendi i Komunës, gjithashtu ka shqyrtuar raportin shpenzimeve për  mbulimin e shpenzimeve të ceremonive të varrimit. Bazuar në raportin e bërë, gjatë implementimit të kësaj kontrate mes komunës dhe Bashkësisë Islame, nuk është gjetur asnjë keqpërdorim gjatë implementimit të kontratës dhe janë regjistruar të gjitha shpenzimet e bëra. Bazuar në raportin e komisionit, anëtarët e KK të Malishevës, autorizuan Kryetarin e Komunës, që të vazhdohet me këtë shërbim, për mbulimin e shpenzimeve të varrimit.