Çka bëri Haradinaj në 100 ditët e tij si kryeministër?

Vizita e kryeministrit maqedonas në Kosovë, përkon edhe me 100-ditëshin e qeverisjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Më 9 shtator, qeveria Haradinaj mori besimin e deputetëve të Kuvendit, kurse më 11 shtator, me ceremoni shtetërore, ai pranoi detyrën nga pararendësi i tij, Isa Mustafa.

Një ditë më pas, më 12 shtator, ishte dita e parë e plotë e punës së ekzekutivit të vendit. Brenda këtyre 100 ditëve kryeministri Haradinaj mori vendime, realizoi disa vizita jashtë vendit, por gjithashtu ende nuk arriti t`i përmbushë disa premtime.

100 ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, pranoi detyrën nga pararendësi I tij në këtë post, Isa Mustafa. Me 12 shtator, ishte dita e parë e punës së Haradinajt në këtë detyrë.

Gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, kryeministri i vendit mori disa vendime e realizoi disa vizita jashtë vendit.

 

Vizitën e parë jashtë vendit, ai e realizoi në Tiranë me 27 shtator. Nga takimet me krerët e shtetit shqiptar, u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta Kosovë-Shqipëri.

Vizita e radhës e Haradinajt u realizua në Bruksel. Me 17 nëntor, pas takimit me shefen e lartë të BE-së për politikë të jashtme e siguri Federica Mogherini, u tha se tema kryesore ishte liberalizimi I vizave, proces që pavarësisht premtimit fillestar të kryeministrit se do të ndodhë brenda tre muajve, ende nuk ka ndodhur.

Por në Samitin e samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shkup me 16 tetor, kryeministri Haradinaj nuk pranoi të marrë pjesë, dhe Kosova u përfaqësua nga zëvendësi e tij e ministër I punëve të jashtme, Behgjet Pacolli.

Këto ishin vizitat jashtë vendit për këto 100 ditë, nëse nuk llogaritet edhe mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë, mbajtur në Korcë me 27 nëntor.

Por ndryshe nga numri i vizitave zyrtare,  vendimet e marra ishin më të shumta. Prej të parave ishte shkarkimi I Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës kufitare të drejtuar nga Murat Meha dhe zëvendësimi me atë të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi. Ndërkohë, vendi mbetet ende me regjim vizash.

Komisioni i dytë publikoi raportin ku pretendon se vendi humbi territor me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndonëse marrëveshja është proceduar në Kuvend.

Gjatë 100 ditëve qeverisje, në kabinetin me 21 ministra, u emëruan edhe 67 zv.ministra, kurse me kërkesë të kryeministrit u shkarkua edhe Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim e me 29 shtator u shkarkuan edhe 10 drejtorë të ndërmarrjeve publike, bazuar në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Brenda 100 ditëve, emri i kryeministrit Haradinaj dhe 18 shtetasve të tjerë u hoq nga lista e kërkimit ndërkombëtar në Intrepol, ndonëse Qeveria hoqi dorë nga aplikimi në këtë organizatë, siç veproi edhe për UNESCO-s.

100 ditshin e qeverisjes, Haradinaj e plotësi edhe me vizitën e kongresistit dhe mikut të shqiptarëve, Eliot Engel, miratimin nga Kuvendi në lexim të parë të projektbuxhetit për vitin 2018 dhe  vizitën e parë të një kryeministri maqedonas në Kosovë.