Çaushi: S’japim territor për viza

Driton_caushi

Nënkryetari i “Vetëvendosjes”, Driton Çaushi, thotë se do ta kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht kushtit për liberalizim të vizave. Sipas tij, opozita do ta zgjedhë opsionin për ruajtjen e territorit, pasi që, siç thotë ai, liberalizimi i vizave me BE-në u takon qytetarëve pa falur tokë

Numri dy i partisë më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës (Lëvizja “Vetëvendosje” – LVV), Driton Çaushi, thotë se Kosova nuk duhet të jetë vendi i vetëm në Evropë që jep territore për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE). Këto komente Çaushi i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se opozita në Kuvend do të bëjë çmos që ta mbrojë territorin e Kosovës.

Ai madje shprehet se opozita kosovare nuk ndjehet fajtore nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët edhe këtë vit, pas që, sipas tij, BE-ja ka kërkuar nga liderët kosovarë që për të fituar liberalizimin e vizave të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Normalisht që për Mustafën, Thaçin dhe Veselin ky kusht nuk është prioritar, sepse po të luftonin krimin dhe korrupsionin i bie që do ta luftonin veten”, shprehet Çaushi.

Ky i fundit bën të ditur se nuk do të lejojnë për asnjë kusht të kalojë Marrëveshja aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Marrëveshja për “Zajednicën” me Serbinë dhe, sipas Çaushit, është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të reflektojë mbi këto çështje, dhe sa më parë t’i anulojë të gjitha marrëveshjet e dëmshme që i ka nënshkruar.