Bordi i Ibër-Lepencit në ekskursion me para të shtetit

foto 3

Kur Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të fuqishëm të Skënderajit, ishte emëruar në bordin e “Ibër-Lepenc”, në shtator të vitit të kaluar, thoshte se do të kontribuojë në rritjen e vlerës së kësaj ndërmarrje, duke lobuar për të sjellë “ndihma financiare ndërkombtare”.

Por, vetëm tetë muaj pas emërimit, në prill të këtij viti, ka propozuar një ide që ka çuar drejt një shpenzimi financiar të diskutueshëm të kësaj ndërmarrje publike. Lushtaku ka kërkuar që të mbahet një punëtori jashtë vendit, ku do të merrnin pjesë drejtuesit e ndërmarrjes dhe do të diskutohej lidhur me zhvillimin e saj.

Bazuar në procesverbalin e takimit të bordit drejtues, të siguruar nga Insajderi, Lushtaku parapëlqente që punëtoria të mbahej në gjysmën e dytë të muajit prill. Ashtu edhe u bë. Të gjithë anëtarët e bordit u pajtuan me propozimin e Lushtakut.

m Lushtaku

Mërgim Lushtaku  anëtar në bordin e “Ibër-Lepenc”

Qëndrimi i tyre disa ditor në Shqipëri ka nxitur reagimin e zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila mbikëqyrë ndërmarrjet publike.

MZHE-ja i ka dhënë vërejtje anëtarëve të bordit të Ibër-Lepencit për shpenzime të mëdha në kohën kur ndërmarrja është në gjendje jo të mirë financiare. Po ashtu, sipas MZHE-së, drejtuesit e kësaj ndërmarrje publike kanë vendosur për këtë udhëtim krye në vete, pa e pyetur Qeverinë e Kosovës.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga Insajderi, për këtë “ekskursion”, të anëtarëve të bordit janë shpenzuar afër 10 mijë euro.

Shefat e Ibër-Lepencit pijnë Birrë e verë me para të shtetit 

Vizita në Tiranë është emërtuar: “Punëtori për shqyrtimin dhe analizimin e politikave për rritjen e performancës së ndërmarrjes”.

Pjesë e “ekspeditës”, ishin gjashtë anëtarët e bordit që janë: Fatos Sahiti, Januz Kabashi, Imer Hamiti, Albiona Maloku, Mërgim Lushtaku dhe Bashkim Shabani.

Po ashtu, bashkë me ta ishte edhe Bajram Jashari, sekretar i ndërmarrjës.

Insajderi i ka siguruar faturat e shpenzimeve të tyre dhe paradhëniet për udhëtim zyrtar.

Bazuar në urdhërpagesat që Ibër Lepenci ka i lëshuar për anëtarët e bordit, një ditë para udhëtimit, shuma totale për këtë udhëtim arrin në 9 mijë e 400 euro.

Secili nga anëtarët e bordit ka pasur në dispozicion shumën prej 1200 eurosh.Ndërsa sekretari Jashari ka pasur në dispozicion shumën prej 2 mijë e 200 eurove.

 Jashari është dhëndri i deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu. Në media është raportuar se ai është zgjedhur për herë të tretë sekretar i ndërmarrjes Ibër Lepenci, mirëpo pa konkurs.

Në faturat që figurojnë në emrin e sekretarit Jashari përveç ushqimeve, vlera e të cilave nis nga 30 euro e që shkon deri në 100 euro, është blerë edhe alkool- kryesisht birra dhe verë.

Gjithashtu në emrin e tij figurojnë edhe dy fatura të karburanteve që mbajnë shumën e 2.700 lekëve apo 39 euro.

Akomodimi i bordit sipas faturave që posedon Insajderi është bërë në “Hotel Grand Tirana”, me përjashtim të Albiona Malokut që është akomoduar në “Xheko Imperial Invoice”.

Malokut fatura e qëndrimit i kushtoi plotë 675 euro. Ndërsa kolegëve të saj, secilit nga 525 euro apo 73.500 lek shqiptare. Që në total i bie plotë 3 mijë e 150 euro.

Kurse vetëm për sallën e rezervuar për punëtorinë dhe kafet gjatë pauzave janë shpenzuar 770 euro, shkruan  Insajderi.

MZHE vlerëson si ilegal “ekskursionin”, e drejtorëve të Ibër-Lepenc

Rregullat e funksionimit të ndërmarrjeve publike obligojnë drejtuesit e tyre që të lajmërojnë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kur planifikojnë vizita jashtë vendit.

Drejtuesit e Ibër-Lepencit nuk i përfillën këto rregulla. Morën vërejtje nga qeveritarët.

Adem Ahmetaj, zyrtar i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që operon në kuadër të MZHE-së, më 5 maj të këtij viti, kërkoi llogari nga drejtuesit e kësaj ndërmarrje lidhur me “ekskursionin ilegal”.

Insajderi ka siguruar shkresën e Ahmetajt. Aty iu kërkohet llogari drejtuesve të ndërmarrjes për vendimin e marrë krye në vete, pa e pyetur Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

I njofton se kanë bërë shkelje të procedurave të mbikëqyrjes dhe monitorimit të ndërmarrjeve publike, kur e kanë anashkaluar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Po ashtu, Ahmetaj kërkoi që t’i dërgohet agjenda dhe shpenzimet e detajuara të anëtarëve të bordit gjatë mbajtjes së punëtorisë në muajin prill, në Shqipëri.

“Të nderuar, kërkojmë nga ju që në mënyrë të detajuar të na njoftoni në lidhje me temat e diskutuara dhe konkluzionet e dalura nga kjo punëtori duke përfshirë edhe shpenzimet e krijuara nga ky udhëtim”, shkruan në kërksën e Ahmetajt.

Pas pesë ditësh, më 10 maj, Ahmetaj merr përgjigje kthyese nga Fatos Sahiti, kryesues i bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike.

Sahitaj i shkruan se keqkuptimet e çështjeve administrative janë çështje interpretimesh  “dhe se mbeten të hapur dhe transparent për veprimet në kuadër të kompetencave të përcaktuara sipas legjislacionit primar dhe sekondar”

I përkujton Ahmetajt se bordi i drejtorëve e ka pavarësinë e vetë në marrjen e vendimeve lidhur me ndërmarrjën.

Me këtë konkludim nuk pajtohet zyrtari i MZHE-së, Adem Ahmetaj. I dërgon edhe një e-mal tjetër, duke i rikujtuar rëndësinë që ka Qeveria e Kosovës, e cila është pronare e ndërmarrjës publike.

“Aksionari është shumë i rëndësishëm duke marrë për bazë se çdo shpenzim i parasë publike duhet të arsyetohet aq me tepër tani kur NH. IBËR Lepenci po përballet me problem financiare duke mos pasur mundësi t`i inkasoj borxhet e akumuluara nga borxhlinjtë e ndryshëm”, shkruan Ahmetaj.

fatos sahiti

Fatos Sahiti kryesues i bordit

Insajderi ka kontaktuar me kryesuesin e bordit, Fatos Sahitin. I ka kërkuar përgjigje lidhur me pohimin e zyrtarit të MZHE-së për anashkalimin e  njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike si dhe për mbajtjen e kësaj punëtorëie përkundër gjendjes së rëndë financiare të ndërmarrjës.

Mirëpo Sahiti, i cili tha se ndodhet jashtë vendit, ende nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë përgjigje në pyetjet e Insajderit. Zyra për Media e këtij institucioni ka deklaruar se MZHE-ja ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vizitën jashtë vendit të bordit të Ibër- Lepencit.

Ka njoftuar se përkundër kësaj, drejtuesit e ndërmarrjës ende nuk kanë dorëzuar raport të detajuar lidhur me këtë vizitë.

“Pas kërkesës së NJPMNP – së të datës 10 maj 2016, drejtuar Bordit te Drejtorëve te kësaj Ndërmarrje, Kryesuesi i Bordit z. Fatos Sahiti ju është përgjigjur shkresës sonë me arsyetimin se pasi te mbyllen avanset do të keni një raport të detajuar për shpenzimet e krijuara nga kjo punëtori”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së, dhënë Insajderit. /Insajderi.com