BLLACA, FSHATI ME SHUMË SHTËPI

bllaca

Bllaca e Suharekës është një fshat i bukur dhe piktoresk, por është edhe fshati i trimërive të shumta. Kur flasim për Bllacën, menjëherë ky emër të kujton Ramë Bllacën, figurën emblematike, që ishte këmbëngulës që mos të lëshohen trojet tona e të shkohet në Anadoll të Turqisë. Historiani Demir Zekolli shprehet se është tashmë e njohur nga të gjithë figura frymëzuese e patriotit të madh, Ramë Bllaca, që me fjalën, punën e veprën e tij mbajti gjallë shpresën e shqiptarëve, frymëzoi shqiptarët për të mos e lëshuar Kosovën, për të mos ua dhënë Kosovën serbëve.”Po ashtu është e njohur dhe e vlerësuar sakrifica e pashembullt e Qazim Bllacës, që e shkriu rininë e tij në kohën e komunizmit nëpër burgje e internime në Kosovë dhe Shqipëri. Pastaj atje domosdo të kujtohet rapsodi më i madh i këngëve shqipe, Riza Bllaca, për të cilën në vitin 1974 Instituti Albanologjik i Kosovës dhe ai i Tiranës për tri ditë mezi arritën t’i marrin të gjithë opusin e këtij rapsodi të pavdekshëm”, shpjegon për “Kosova Sot” historiani Demir Zekolli.

Bllaca, me histori të lashtë Studiuesi tjetër, Jusuf Osmani, shprehet se gjurmët e vendbanimit të këtij fshati shtrihen thellë në lashtësi, derisa në dokumentet e shkruara e hasim në ato të periudhës osmane. “Bllaca është fshat në komunën e Therandës, që shtrihet rreth 8 km në veri të saj. Me emrin Blladqi përmendet në defterin kadastral të vilajetit të vitit 1455, me 34 shtëpi. Jeton popullsia autoktone shqiptare. Sa i përket numrit të banorëve, sipas shënimeve të konsullit rus, Jastrebovit, rreth vitit 1879 kishe 60 shtëpi, të gjitha shqiptare”, na thotë Osmani. Sipas tij, kjo përputhet edhe me deklarimet e Mahmut Sherif Fangut. Sipas këtij të fundit, Munish Dërguti në vitet 1875-1948 dëshmonte se në kohën e tij fshati Bllacë kishte 60 shtëpi, të gjitha të mbuluara me kashtë, kurse në fund të shekullit XIX kishe 100 shtëpi. Ndryshe, në regjistrimin e vitit 1913 fshati kishe 1052 banorë. “Para se të flasim për arsimin në Bllacë, që është i pandarë me historinë e arsimit të Duhles, duhet të themi dy fjalë për historinë në tërësi. Por, gjithsesi, ngado që ta nisim, çfarëdo që të themi, ne nuk mund të dalim askund dhe nuk do të bëjmë dot asgjë, nëse nuk e fillojmë e mbarojmë me figura të tilla si Fetah Bllaca, pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e i shumë kuvendeve shqiptare, Ramë Bllaca, Qazim Bllaca e Asllan Fazlia”, shprehet Jusuf Osmani.

Zekolli thotë se Bllaca ka toponime shqipe dhe gjetje të rëndë- sishme arkeologjike Duke folur për “Kosova Sot”, historiani Demir Zekolli shpjegon edhe faktin se Bllaca si lokalitet i moçëm ka toponime tërësisht shqipe. “Nisur nga lagjet ku ato janë lagjja “Fangu”, lagjja “Suka”,”Lumi”, Guraziu: etj. Këto flasin për toponime kaq autoktone, por edhe toponimet tjera kanë frymë të shqipes, p.sh. “Shëngjina”, që është një toponim se këtu ka pasur festime të lashta, pastaj edhe “Ara e Mihalit”, që dëshmojë se ka një lashtësi të vjetër ky lokalitet. Kurse në fshat brenda ka një vend të gjetjeve arkeologjike “Bregishta”, që flet për kohën e periudhës dardano-ilire. Kjo e bën një lokalitet të rëndësishëm të historisë së fshatit Bllacë”, tregon Zekolli.

Fshati me 800 familje, mbi 25 për qind prej tyre me vendbanim jashtë atdheut Si në të gjitha fshatrat tashmë të Kosovës, edhe në fshatin Bllacë të Therandës për fat të keq kurbeti është bërë pjesë e jetës. Kështu nga ky fshat janë mbi 25 për qind e banorëve që jetojnë jashtë, si në Itali, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera. Ne arritëm të kontaktojmë me Fatmir Zekollin, tashmë në Itali. ‘Po, unë është e vërtetë se me gjithë familjen time, me bijtë e mi, jam në Itali. Por, më duhet të them se atje kam ndërtuar shtëpi të reja. Kurdo që të kthehemi atje e kemi jetën dhe bazën tonë në Bllacë. Atdheu nuk paguhet me asgjë”, na thotë Fatmiri. Ndërsa, historiani Demir Zekolli shprehet se gjithkund në Kosovë, edhe në këtë fshat, po dëmtohet shumë trashëgimia kulturore. Sipas tij, Bllaca ka nxjerrë njerëz të shquar.”Është vend që ka ditur të luftojë kundër Perandorisë turke, kurse “Qafa e Duhles” njihet si vend ku janë mundur ushtritë pushtuese. Bllacjanët kanë luftuar kundër turqve, bullgarëve dhe serbëve”, na thotë Zekolli. Sipas tij, bllacjanët morën pjesë dhe sakrifikuan në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare për të larguar pushtuesit e huaj, derisa shumë bllacjanë humbën jetën në Tivar. Edhe në luftën e fundit kundër Serbisë ranë shumë dëshmorë në këtë fshat, si: Imer Krasniqi (1957- 1998) nga Carralluka e Malishevës, Bislim Zekolli (1953-1998), Mehmet Lumi (1969-1999), Shaban Iballi (1971-1999), Sahit Tixha nga Arbana e Prizrenit, nip Bllace (1974-1999), Sadri Guraziu (1980-1999), Kadri Qollaku (1981- 1999), Salih Kermeni (1983-1999). Për çdo vit, këta dëshmorë përkujtohen më 7 qershor, në lagjen Sukaj, ku prehen edhe emrat e tyre në lapidarin e lirisë. Por, tash fshati është plot jetë dhe në të mësojnë 700 nxënësit e shkollës fillore