Berisha: Angazhimi ynë në Malishevë ishte për ndryshim, do të vazhdoj derisa në Malishevë të kemi një qeverisje të drejtë

Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Berisha, për mes një statusi në facebook, ka falënderuar qytetarët e Malishevës për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Ai ka thënë se trefishimi i rezultatit për Lëvizjen Vetëvendosje në këto zgjedhje lokale është rezultat inkurajues.

Më poshtë keni postimin e plotë të z. Berisha:

Të dashur qytetarë të Malishevës,
Faleminderit për mbështetjen që na keni dhënë. E di që keni kaluar kushte të rënda presioni nga partia në pushtet dhe partitë tjera, që pushtetin e kanë të vetmen mënyrë për mbijetesë, por ju e dhatë provimin. Ju treguat që Malisheva nuk i takon një individi e as një partie.
Trefishimi i rezultatit për kandidatin e Lëvizjes VETEVENDOSJE! është rezultat inkurajues për ne. Fakti që dolëm subjekti i tretë dhe nuk e arritëm balotazhin që do të ishte një mundësi për ndryshim, nuk e zbehë vullnetin tonë për angazhim. Malisheva meriton një qeverisje tjetër dhe ne ishim të gatshëm për të.
Me përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Komunës ku grupi ynë kuvendar do jetë më i madh, do të artikulojmë zërin tuaj dhe do të mbrojmë interesin publik, me përgjegjësinë më të lartë. Qytetarë të Malishevës, mbështetja për VETËVENDOSJE!-n dhe për mua si kandidat, ishte mbështetje politike për programin dhe përkushtimin tonë, derisa mbështetja për dy subjektet tjera ishte mbështetje për paratë, pushtetin dhe interesat klienteliste, prandaj ju meritoni respektin më të madh që i besuat si kurrë më parë Lëvizjes VETEVENDOSJE!
Ne, jemi duke i analizuar rezultatet, aty ku është blerë vota nga kundërshtarët tanë, aty ku është kushtëzuar, aty ku është shantazhuar, vjedhur etj. Natyrisht në analizim të tyre do shohim dhe vlerësojmë situatën.
Angazhimi ynë në Malishevë ishte për ndryshim, do të vazhdoj për ndryshim derisa Malisheva të ndryshojë dhe të kemi qeverisje të drejtë e në shërbim të qytetarëve.

Me zemër Adem Berisha