Begaj Sot Para Gjykatës, Akuzohet për dëmtim të buxhetit dhe keqpërdorim pozite

Ragip Begaj, kryetarit të Komunës së Malishevës, pritet të ulet sot në bankën e të akuzuarve nën dyshimet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Seanca siç merr vesh KALLXO.com pritet të fillojë në ora 13:00 në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

KALLXO.com ka raportuar se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza e ngarkon drejtuesin e komunës së Malishevës që, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, e ka dëmtuar buxhetin e kësaj komune.

“…duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Malishevës ka angazhuar Labinot Mazrekun në cilësinë e Menaxherit të Prokurimit në kuadër të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme, në Komunën e Malishevës dhe me të njëjtin më datë 07.02.2014, ka lidhë kontratë mbi vepër në kohëzgjatje prej 5 muaj dhe vazhdimin e saj prej datës 08.07.2014 deri më datë 09.09.2014, me të cilin rast para lidhjes së kontratës kjo komunë kishte të punësuar menaxherin e prokurimit dhe zyrtarë të licencuar të cilët posedonin certifikata të prokurimit për kryerjen e këtyre shërbimeve”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria pretendon se Ragip Begaj kishte ndërmarrë disa masa ndaj zyrtarëve të prokurimit në kundërshtim me ligjin lidhur me disa keqpërdorime në zyrën e prokurimit.

“…po ashtu ky i pandehur edhe pse e ka kuptuar se në zyrën e Haxhi Krasniqit (menaxherit të prokurimit) ka pasur keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK ALBAKOS&NNSH KORBEN” Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në OSHP…me të cilin rast i pandehuri pas pranimit të vendimit në procedurë të shpejtuar pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50% pagesë prej datës 20.08.2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në zyrën e Menaxherit të Prokurimit edhe pasi që ky i pandehur kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur…”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza ndaj Begajt është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale që i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin e të akuzuarit sipas ligjit.