Begaj nuk mban premtimin për stadiumin, fajëson Ministrin për zvarritjen e punëve

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj gjatë debateve parazgjedhore, kishte premtuar se stadiumi i këtij qyteti do të përfundohet në gjysmën e parë të vitit 2018.

“Stadiumi ka me u kry në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm (2018)”, ka premtuar Begaj në emisionin “DebatPernime”

Në përgjigjet e kësaj komune, thuhet se ka ende punë për t’u përfunduar siç është: Ngjitja e tepihut dhe mbulimi i shkallëve me ulëse, si dhe disa punë tjera teknike.

Të gjitha këto punë janë pjesë e përgjegjësisë së ministrisë së Kulturës dhe Sportit.

“Pjesa e komunës në rregullimin e stadiumit është e kryer, ka mbetur pjesa e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, andaj duheni që ti drejtoheni ministrisë përkatëse lidhur me përfundimin e punimeve në stadium”, thuhet në përgjigjet e kësaj komune.

Premtimi i Begajt për funksionalizim të plotë të stadiumit nuk do të mund të mbahet.

“Këtë vit, besojmë që ekipet e futbollit, do t’i zhvillojnë ndeshjet në stadium”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.

Ndërsa bazuar në realitetin në terren shihet se punimet të cilat janë kryer deri me tani në këtë stadium lënë shumë për tu dëshiruar, sidomos cilësia e dobët e barit artificial i cili është shtruar në fushë.

Për punët e bëra shkel e shko dhe projektin e dështuar, ditë më parë ka reaguar edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Alban Krasniqi, i cili përveç tjerash kishte publikuar edhe pamjet nga terreni të cilat pasqyroni cilësinë e dobët të punimeve