Begaj beson që ka lënë vend edhe për një mandat qeverisës

Me transparencë, bashkëpunim dhe me  ofrimin e vendimmarrjes tek qytetarët, kandidati për kryetar të Malishevës nga ana e Nismës Ragip Begaj  beson  se ka lënë vend të kërkoj  vazhdimin e qeverisjes së mëtutjeshme në Malishevë.

Begaj në një intervistë për Gazetën  Monitor thotë se i ka realizuar të gjitha premtimet përgjatë mandatit të tij katër vjeçar.

Ai thotë se orientimi i tij për këtë mandat të ardhshëm do të jetë  rritja  e mirëqenies sociale, ekonomia- përmes bizneseve të vogla, zhvillimi i bujqësisë, arsimi, infrastruktura e përgjithshme.

Më gjerësisht lexoni intervistën e plotë:

 Gazeta Monitor: Cili është planprogrami juaj për qeverisjen 4  vjeçare për komunën tuaj?

Begaj: Programi ynë, për qeverisjen katërvjeçare, është i orientuar në këto shtylla: Rritja e mirëqenies sociale, ekonomia-bizneset e vogla, zhvillimi i bujqësisë, arsimi, infrastruktura e përgjithshme, kultura, rinia dhe sporti. Vazhdimësia e programit të NISMA për Kosovën dhe rritja e aktivitete në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Gazeta Monitor: Cili do të jetë prioriteti i parë me të cilën do të filloni punën?

Begaj: Ne kemi qeverisur me Malishevën, për katër vite dhe prioritet i imi është vazhdimi i qeverisjes, bashkë me qytetarët e Komunës së Malishevës.

Gazeta Monitor: Çfarë do të ndryshonit nga qeverisja e kaluar?

Begaj: Nuk do të ndryshojmë, por do të vazhdojmë qeverisjen e mirë, në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Gazeta Monitor: A ju kanë mbetur ndonjë premtim  të cilin nuk keni arrit ta realizoni, dhe të cilin do ta realizoni në mandatin e ardhshëm?

Begaj: I kam realizuar të gjitha premtimet, madje i kam tejkaluar ato. Të gjitha premtimet janë realizuar, pasi nuk kam bërë asnjë premtim të pabazë dhe të njëjtën gjë do ta bëj edhe kësaj radhe, nuk do të premtoj pabazë, por të gjitha ato që do t’i premtoj, do t’i realizoj, sepse unë i kam gjërat e qarta për qeverisjen, dhe orientimi im, ashtu sikur edhe i NISMA për Kosovën, është i njëjtë me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe brenda mundësive buxhetore të Komunës së Malishevës.

Gazeta Monitor: Pse qytetari i komunës tuaj duhet të ju votoj?

Begaj: Sepse e kemi dëshmuar me punën tonë, me transparencën, bashkëpunimin me qytetarët, ofrimin e vendimmarrjes tek qytetarët, dhe besojmë se kemi lënë vend të kërkojmë vazhdimin e besimit për qeverisjen e mëtutjeshme./Gazeta Monitor/