Bashkësia Islame kontratkohet nga Komuna që ti kryej të gjitha shërbimet e varrimeve

009Sot, është nënshkruar marrëveshja mes Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, Xhevat Kryeziut, për mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e varrimit për personat e vdekur, të cilët varrosen në territorin e Komunës së Malishevës. Kjo marrëveshje është bërë, duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, nr.03/L-40, si dhe nenit 8 të Rregullores për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Varrezave Publike.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, Bashkësia Islame në Malishevë, obligohet të kryej shërbimet e varrimit, duke përfshirë: Regjistrimin e rastit në librin amzë të të vdekurve, hapjen e varrit, sigurimin e dërrasave, qefinin, mbishkrimin në varr, transportin e kufomës nga shtëpia deri në xhami dhe varreza, me një kosto të përgjithshme prej 200 eurove, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Komunës së Malishevës.

Në këtë marrëveshje janë të specifikuara të gjitha shërbimet dhe standardet që duhet të përdoren, bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvendin e Komunës së Malishevës, më 28.12.2016, ndërsa zbatimi i kësaj marrëveshje hynë në fuqi nga dita e sotme dhe zgjatë deri në fund të vitit.