BASHKËPUNIMI BIZNESOR MJEKË – KOMPANI FARMACEUTIKE

12660414_10207571752865908_929669157_n

Denoncim publik, dukurive të dëmshme në shoqeri.

Sot, më shumë se kurrë, vlen thënia popullore “mos u bëfsh për mjekë”. Fatkeqësisht, sistemi shëndetësor në Kosovë është në gjendje të mjerueshme. Është një sistem me infrastrukturë dhe aparaturë të modelit të vjetëruar, të cilën europa e ka hequr nga përdorimi prej para 20 vjetësh; me mjekë e profesorë të mjekësisë që punojnë me diploma false (të blera, e me botime plagjiaturë); me infermiere që pinë kafe e qaj, ndërkohë që shtatëzanat lindin korridoreve e lehonat vdesin nga moskujdesi; sistem ku po nuk pate mundësi të japësh mito për t’i përshpejtuar procedurat për operacion, do të dergjesh spitaleve; sistem me mungesë fondesh për shërim jashtë vendit; e shumë e shumë probleme e mangësi të tjera. Fatkeqësisht, sistemit të shëndetësisë së Kosovës, disi, sikur nuk po i mjaftojnë problemet që i përmendëm më lart, sepse viteve të fundit këtij sistemi i është shtuar edhe një dukuri shumë e dëmshme, e panevojshme, mendoj edhe e pamoralshme, ajo e bashkëpunimit biznesor ‘mjekë-kompani farmaceutike’, ku mjeku përshkruan barnat e një kompanie të caktuar, shpesh edhe pa nevojë, ndërsa kompania rrit çmimet e barnave, sepse në çmim përfshihet edhe shpërblimi për mjekun. Duke qenë se në këtë mes askush nuk qan kokën për pacientin dhe duke qenë se sistemi fare nuk merr mundin për ta luftuar këtë dukuri, dyshoj se i tërë sistemi, madje edhe Ministria e Shëndetësisë është kapur nga kjo dukuri. Pra, duke qenë se ky fenomen ka gjetur Kosovën si një vend ideal për t’u zhvilluar, pa e penguar askush, po lulëzon çdo ditë e më shumë gjithandej nëpër Kosovë, ku me qindra kompani e agjentë marketingu që çdo ditë frekuentojnë Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rekrutojnë mjekë në programet e tyre me qëllim të shtrirjes së tyre në teren.

E them me përgjegjësi të plotë se, mbi 90% e mjekëve janë të përfshirë në këtë dukuri të mitmarrjes, ku mjekët pacientëve u rekomandojnë barna të kompanive të caktuara, ndërsa kompanitë e caktuara si shpërblim të njëjtëve mjekë u premtojnë pagë ose sponzorizim të ndonjë seminari. Kështu, në këtë proces të metamorfozës ekonomike jo të pastër, pacienti mbetet nevojëtar, i pafajshëm e i pambrojtur nga shteti dhe si çdo herë në këtë shoqëri, të pafajshmit (në këtë rast pacientit) i mbetët vetëm të paguaj çmimin e të papërgjegjshmëve. Pra, barin që në fakt do të duhej të kishte vlerë reale prej 3 (tri) eurosh, pacienti paguan çmimin 12 (dymbëdhjetë) euro. Shtrohet pyetja pse ndodh kjo dukuri? Kjo ndodh, sepse për të qenë të gjithë të kënaqur në këtë proces, përveç pacientit, bari duhet të del në treg me çmim 12 euro, ku: 3 euro janë të prodhusit; 1 euro është e transportit;  3 euro janë të kompanisë që e ka licencën; 2 euro të barnatores; 3 euro të mjekut. Paradoksi është se, edhe pas gjithë kësaj papërgjegjësie të “kontrabanduesve të barnave”, pacienti mund të marrë ndonjë bar të ndonjë kompanie të dyshimtë, bie fjala të Serbisë, që është pa kurrfarë vlere përbajtësore, në mos edhe me ndonjë përmbajtje të dyshimtë. Gjatë ushtrimit të kësaj dukurie, ka prej mjekëve që i detyron pacientët të kthehen me barin e blerë, gjoja për t’u siguruar nëse e ka blerë atë që i ka preferuar dhe jo “zevendesues më të lirë e të paefektshëm”. Mirëpo, mjekët këtë “kujdes” apo “mirësjellje” nuk e bëjnë sepse janë aq të kujdesshëm për shëndetin e pacientit, por për t’u siguruar nëse po e merr barin e kompanisë me të cilën ka “kontratë” dhe të mos i mbetet asnjë bar pa paguar nga kompania barin e të cilit e ka përshkruar.  Ka mjekë që vetëm për një muaj nga departamentet e “marketingut” të kompanive farmaceutike inkason deri në 1000 (një mijë) euro. Duke marrë shkas nga kjo që u tha më lartë, pyes ku mbeti ”Betimi i Hipokratit”? Vallë, mjekët që janë të përfshirë në këtë dukuri të dëmshme për popullin e vet, e kanë kuptuar këtë betim apo vetem e kanë lexuar me sy?!

Për ju që e lexoni këtë shkrim po jua përkujtoj se, “Betimi i Hipokratit” nënkupton normat morale, njerëzore e profesionale mbi të cilat betohet një mjek para se të fillojë profesionin e mjekut. Përmbajtja e betimit: “Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal”.

Pra, ju mjekë që jeni të përfshirë në këtë dukuri të dëmshme për pacientët tuaj, mos e shkelni por respektojeni këtë betim! Mos e humbisni dinjitetin e humanitetin! Po e shkelni betimin e ligjin, sepse ligji thotë se barnat duhet të shkruhen me emra gjenerik, e jo me emra të prodhuesve.

Medoj se fajtor pa aq i madh sa edhe palet në bisnes është shteti dhe prokuroria e Kosovës, sepse krejt çka i duhet është të hetojë 10 (dhjetë) mjekë në cilin do vend dhe ta shohë se, 9 prej tyre me fakte do të jenë të përfshirë në këtë dukuri.

Pra, qytetari (pacienti) edhe ashtu i varfer e pa kushte bazike për jetë, madje shumë prej tyre edhe me asistencë sociale, përveç që paguajnë tatim prej 18% (tepër i lartë për kushtet në të cilat jetojmë) në shumicën e produkteve farmaceutike, ai paguan edhe për kompanitë farmaceutike e mjekët që “vjedhin”.

Po shkruaj për këtë temë, sepse edhe vetë sot isha i prekur nga kjo dukuri, ku për një grip sezonal të fëmijës m’u desht të hargjoj 100 euro. Po shkruaj sot për këtë temë, me qëllim dhe me shpresë që debati në Kosovë të fillojë të fokusohet në tema që prekin çdo ditë qytetarin, e në qoftë nevoja edhe të protestojmë. E juve që po e jetësoni këtë dukuri, po t’ju mallkojë populli, do t’ju thoshte: “Paratë që po i përvetësoni në këtë mënyrë i blefshi barna për veti”. Ndësa, unë po ju them ju harxhofshin për avokat!

Nuk do të kishte qënë keq të bleni barna, sepse kështu do ta kuptoni sa shtrenjtë janë!

Autor: Berat Morina