Bashkatdhetari Paçarizi, sjellë edhe 50 kompjuter për shkollat e Malishevës

Bashkatdhetari profesor Agim Paçarizi, një ish i përndjekur politik, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, sot e ka sjellë edhe një donacion nga Zvicra, për Komunën e Malishevës. Sot, edhe zyrtarisht, profesor Paçarizi, ja ka dorëzuar kompjuterët, kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar Paçarizin për këtë donacion me rëndësi për shkollat, përkatësisht për pajisjen me kompjuter të shkollave. “Kjo nuk është hera e parë që profesor Paçarizi, na ndihmon dhe për këtë e falënderojmë pa masë, pasi edhe pse jeton në Zvicër, vazhdon të jep kontributin e tij për vendin, ndërsa kompjuterët e sjellë, janë shumë domethënës, pasi neve na ndihmon që shkollat gradualisht të kompletohen me kompjuter”, tha Begaj.

Ndërsa profesori Agim Paçarizi, ka thënë se këta kompjuter i ka siguruar nga Universiteti i Frieburgut, me të cilin kanë bashkëpunim të mirë dhe ky nuk është donacioni i vetëm, pasi edhe më parë ky universitet zviceran, ka ndihmuar me mjete konkretizuese për shkolla.

Përndryshe, Paçarizi, i cili jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës, deri në vitin 2012 ka qenë udhëheqës i shkollës shqipe, ndërsa tani është kryetar i shoqatës “Rrethi Shqiptar-Mejrinas” (Meyrin-qytet në Zvicër). “E kemi obligim ta ndihmojmë vendin tonë dhe me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve, që kanë mundësi të ndihmojnë në forma të ndryshme, të bëjnë këtë, pasi e bëjmë për vendin tonë”, tha Paçarizi, i cili e ka falënderuar Universitetin e Frieburgut për këtë ndihmë, ndërsa nxënësve dhe shkollave në Malishevë, ju ka uruar suksese.

Donatorin e ka falënderuar edhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi.